Tradita e Vitit të Ri në Shqipëri

Darka e Vitit të Ri është një traditë e vjetër për shqiptarët. Ndryshe nga shumë vende të tjera Europiane që festojnë Krishtlindjet, për Shqiptarët darka e Vitit të Ri është më e rëndësishmja. Në fakt tradita që kemi sot më shumë është vijim i ca zakoneve të krijuara gjatë 50-60 viteve të fundit, pra kryesisht gjatë periudhës së komunizmit. Le të kujtojmë ca detaje të cilat i mbajmë mend dhe ne qe kemi qënë fëmijë në ato kohë.

Dita e Vitit të Ri, dikur… 

Gjatë regjimit komunist, Dita e Krishtlindjeve nuk kishte asnjë kuptim, pasi regjimi diktatorial i Enver Hoxhës krijoi shtetin laik. Sipas një dokumenti të ruajtur në arkivat e shtetit, urimi i fundit për Krishtlindje daton në vitin 1966. Ky dokument ka të bëjë me një telegram nga Kisha Ortodokse Shqiptare që i uronte Gëzuar Krishtlindjet kryetarit të Kishës Katolike të Shqipërisë. Shqiptarët nuk festuan evente fetare prej më shumë se 40 vjetësh. Dita më e rëndësishme ishte: 31 Dhjetori pra Nata e Vitit të Ri. Punonjësit merrnin dhurata për fëmijët e tyre, dyqanet ishin të mbushura me ushqime që nuk mund t’i blije gjatë vitit.

Amivisat merrnin një ditë pushim për të pastuar shtëpinë, lanin perdet, batanijet pra çdo gjë. Motivimi ishte i madh, duke pastruar shtëpinë pasi do vinin për vizitë të afërmit e komshinjtë, por dhe duke blerë mobilje apo sikur dicka të re për të zbukuruar shtëpinë. Njerëzit kishin bindjen se duke bërë kaq shumë gjëra, Viti i Ri do t’i gjente më të begatë. Zakonisht nata e vitit të Ri festohej në shtëpi, pastaj  në ditët e para të Janarit, shqiptarët vizitojnë të afërmit e tyre ose fqinjët duke i uruar për Vitin e Ri. Ishte shumë interesante pasi brenda ditës mund ta shihnin njëri tjetrin dy here, pra në mëngjes njëra palë vizitonte shtëpinë e të afërmve apo fqinjëve dhe pasdite ata do t’ua kthenin vizitën. Ishte si një ndjesi konkuruese, kush qeraste me më shumë ëmbëlsira, pije, fruta të freskëta e të thata.

Gjithsesi Nata e Vitit të Ri para së gjithash kishte të bënte me ushqimin. Dhe kështu është sot e kësaj dite. Edhe sot përgatitja e darkës fillon një javë para Natës së Vitit të Ri, me gatimin e Bakllavas (ëmbëlsirën tradicionale të Vitit të Ri).

Gatimi Tradicional

Gatimi tradicional ka qenë gjithmonë gjeli i detit i pjekur ose i skuqur. Njerëzit e shërbejnë në mënyra të ndryshme, por më e preferuara është shoqërimi i gjelit të detit me përshesh, pra kulaç i thërrmuar dhe i regjur në lëngun e gjelit apo pulës së pjekur. Mishi i viçit, i qengjit, apo i derrit nuk mungojnë në tryezë. Në zona të ndryshme, si psh në Gjirokastër preferohet Byreku me Mish, ose lakrorë të ndryshëm. Në zonat buzë detit, apo në qytetet liqenore, si Pogradeci psh, mbetet mbret i tryezës tava me peshk. Megjithatë fantazitë e tjera, si lloje te ndryshme sallatrash, antipastash, nuk mungojnë në tryezat e shqiptarëve. Rëndësi ka që tryeza të jetë plot e përplot edhe nëse familja ka pak anëtarë.  Shumica e gatimeve sigurisht mbeten pa u konsumuar.

Dikur njërëzit teksa përgatisnin gjithë këtë darkë mezi prisnin të fillonin programet e humorit në televizionin e vetëm atë kohë në TVSH. Programi zgjaste deri pasmesnate dhe më pas shfaqnin një film ekskluziv deri në orën 2-3 të mëngjesit. Ndërsa sot programet janë të larmishme, por përsëri humori duket se është programi më i preferuar për Vitin e Ri. Emisione si Portokallia, Al Pazar, etj, si dhe skeçet e televizionit Shqiptar, konkurojne mes tyre për të tërhequr audiencën e vitit të Ri.

Por, tradita së fundi duket se po ndryshon. Tashmë familjet gatuajnë vetëm për veten e tyre. Përveç kësaj, ata i përgatisin pjatat e tyre sipas preferencave, për shembull, gatime me prodhime deti, sallata, ose antipasta.  Ka akoma shumë familje që vazhdojnë dhe ruajnë traditën dhe ne kjo gjë na pëlqen. Por, tani është trendi që darka e Vitit të Ri të festohet në restorante të ndryshme, që ofrojnë menu të shijshme. Çmimet mund të mos jenë të përballueshme për shumicën e Shqiptarëve, megjithatë sot ka shumë variacione për të darkuar në Tiranë. E rëndësishme është që të jesh i rrethuar nga familja, të afërm e miq të mirë. Vetmia është armiku i padëshiruar në këto kohë festive.

Pas darkës së vitit të Ri, njerëzit dalin për të parë Spektaklin e Fishekzjarreve, si dhe konceretet ne shesh, jo vetëm në Tiranë por në gjithë qytetet e tjera. Më vonë vazhdojnë në baret e hapura për të pirë një pije me shoqërinë, familjen. Eshtë bërë traditë që duhet ta presesh në mënyrë sa më festive ditën e parë të vitit ndaj shumica feston deri në agimin e datës 1 janar.

 

Share this article

Other News to Read

Shqipëria destinacioni me performancën më të mirë për 2023

Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e dyta në botë për sa i përket rritjes së turistëve…

Çfarë të bësh në Mars në Tiranë

Mirë se vjen pranverë, sezoni më i mirë për të vizituar Tiranën. Marsi është muaji i parë i…

Historia e Arkitekturës së Tiranës

Historia e Arkitekturës së Tiranës. Tirana është një qytet unik, pasi të gjitha qytetërimet kanë lënë gjurmët e…

Subscribe to our Newsletter!