Identifikimi dhe dokumentimi i Trashëgimisë Jomateriale të Tiranës
Më 12 tetor në mjediset e Bibliotekës Mojkom Zeqo në Tiranë, u zhvillua aktiviteti “Trashëgimia e Tiranës – ende jeton”,. Ky event kishte si synim të prezantonte arritjet e projektit Identifikimi dhe dokumentimi i Trashëgimisë Jomateriale të Tiranës, i zbatuar nga DMO ALBANIA dhe financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Në të morën pjesë rreth 30 persona, përfaqësues nga institucionet që merren me trashëgiminë si dhe artizanë e bartës të trashëgimisë së Tiranës. Programi ndërthuri prezantimet institucionale, analizën profesionale të gjetjeve, shfaqjen e videove dhe diskutimin me artizanët.

Si fillim, DMO Albania prezantoi gjithë punën kërkimore për dokumentimin e traditave lokale si pjesë e identitetit kulturor të Tiranës. Drejtorja Ekzekutive e DMO ALBANIA, znj Eva Kushova prezantoi projektin, procesin e realizimit dhe rëndësinë e evidentimit të trashëgimisë jomateriale të Qarkut Tiranë. Drejtorja e Qendrës së Veprimtarive Tradicionale trajtoi rëndësinë e regjistrit të trashëgimisë jomateriale dhe nevojën për dokumentimin e elementeve kulturore të Tiranës. Ekspertja e trashëgimisë jomateriale, etnografja Silvana Nini, prezantoi rezultatet e kërkimit dhe elementet kryesore të dokumentuara nga projekti. Ndërsa Drejtoresha e Qendres se Veprimtarive Tradicionale znj Erilda Selaj foli për rendesine e dokumentimit të trashëgimisë si një proces që tashmë ka nisur në gjithë vendin.
Pjesëmarrësit ndoqën materialet filmike që paraqesin praktikat tradicionale dhe dëshmitë e bartësve të trashëgimisë. Diskutimi u përqendrua te ruajtja e dijeve tradicionale, vijimësia e mjeshtërive dhe mundësitë e promovimit të tyre. U prezantuan gatime tradicionale të Tiranës nga Luga e Argjendtë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e gastronomisë si pjesë e trashëgimisë kulturore. Aktiviteti u mbyll me përmbledhjen e rëndësisë së gjetjeve dhe nevojës për vijimin e dokumentimit e promovimit të trashëgimisë jomateriale.
Në kuadër të projektit dhe të aktivitetit promovues u evidentuan produktet dhe rezultatet dokumentuese të mëposhtme:
• Studim mbi veçoritë e trashëgimisë jomateriale të Tiranës, me informacion mbi historikun, karakteristikat dhe rëndësinë kulturore të elementeve të dokumentuara.
• Seri videosh dokumentuese, që pasqyrojnë praktikat tradicionale dhe dëshmitë e bartësve të trashëgimisë.
• Dëshmi dhe intervista audiovizive, të mbledhura gjatë procesit kërkimor.
• Dokumentim i poçerisë së Farkës, duke përfshirë teknikat e punës, karakteristikat e produkteve dhe vazhdimësinë e mjeshtërisë.
• Dokumentim i tri recetave tradicionale, tutmaçi, mish kaurma dhe kabunia, me përshkrimin e kontekstit kulturor dhe përbërësve të tyre.
• Dokumentim i veshjes së nuses me dimite mermeri, me evidentimin e materialeve, elementeve përbërëse dhe karakteristikave historike.
• Dokumentim i endjes tradicionale të qilimave, me fokus te teknikat dhe përvojat e bartëseve të traditës.
• Aktivitet promovues me pjesëmarrje fizike, i organizuar për prezantimin publik të gjetjeve.
Këto produkte krijojnë një bazë dokumentuese për përdorim në veprimtari të mëtejshme kulturore, edukative dhe promovuese.
Projekti kontribuoi në identifikimin dhe dokumentimin e elementeve të trashëgimisë jomateriale të Tiranës, duke e zhvendosur vëmendjen nga një qasje e përqendruar vetëm te objektet dhe monumentet drejt njohurive, praktikave dhe njerëzve që mbajnë gjallë traditat.

Rezultatet kryesore përfshijnë:
Evidentimi i traditave të dokumentuara
U identifikuan dhe u prezantuan elemente të poçerisë, gastronomisë, veshjeve tradicionale dhe endjes së qilimave, duke evidentuar karakteristikat e tyre historike, kulturore dhe praktike.
Dokumentimi i bartësve të trashëgimisë
Përmes kërkimit dhe materialeve audiovizive u evidentuan persona që ruajnë njohuritë tradicionale dhe vijojnë t’i ushtrojnë ato në jetën e përditshme ose në veprimtaritë e tyre artizanale.
Ruajtja e njohurive dhe praktikave
Dokumentimi i teknikave, terminologjisë, recetave dhe proceseve artizanale krijon mundësi për ruajtjen e informacionit dhe përdorimin e tij në veprimtari edukative e kulturore.
Promovimi publik i trashëgimisë
Aktiviteti i 12 tetorit mundësoi prezantimin e gjetjeve për publikun, duke kombinuar shpjegimin profesional me dëshmitë filmike dhe diskutimin e drejtpërdrejtë.
Evidentimi i potencialit ekonomik dhe turistik
Projekti evidentoi mundësi për zhvillimin e produkteve dhe përvojave turistike të lidhura me gastronominë tradicionale, punishtet artizanale, demonstrimet e mjeshtërive dhe njohjen e veshjeve tradicionale.
Nxitja e transmetimit ndërmjet brezave
Dokumentimi nxori në pah nevojën për trajnimin e të rinjve, krijimin e mundësive të praktikës artizanale dhe ruajtjen e dijes brenda familjeve dhe komuniteteve.
Forcimi i bashkëpunimit institucional
Bashkëpunimi ndërmjet DMO ALBANIA, Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Tradicionale dhe Institutit të Antropologjisë kontribuoi në ndërthurjen e përvojës së turizmit me njohuritë mbi trashëgiminë kulturore.

Tags:
Other News to Read
Identifikimi dhe dokumentimi i Trashëgimisë Jomateriale të Tiranës
Identifikimi dhe dokumentimi i Trashëgimisë Jomateriale të Tiranës
Çfarë të bësh në Nëntor 2026 në Tiranë
Nëntori festiv, ose muaji kuq e zi. Është muaji gjatë të cilit shqiptarët festojnë Ditën e Pavarësisë dhe…
Rrugët e Trashëgimisë së Tiranës- 5+1 itinerare të reja për Tiranën
Pesë itinerare të reja tematike që kombinojnë historinë, kulturën, trashëgiminë, natyrën dhe komunitetin në rrethinat e Tiranës u…
Çfarë të bësh në Tetor 2026 në Tiranë
Çfarë të bësh në Tetor 2026 në Tiranë. Tetori në Tiranë është një muaj i gjallë dhe plot…