Tirana në kryqëzimin e rrugëve Kandavia & Egnatia
Para se te ekzistonte Via Egnatia, rrugët antike kalonin nga Durrësi përgjatë rrjedhës së lumit Erzen dhe Shkumbin. Straboni thoshte se kush kontrollon rrugën e Kandavisë, segmenti ilir i Via Egnatia, kontrollon edhe Manastirin, Shkupin. Aty ku mbaronte Rruga e Kandavisë niste Maqedonia. Burimet e hershme historike rrëfejnë se tregtarët fenikas ndoqën këtë rrugë për të mbërritur në Adriatik gjatë periudhës së Bronzit (A.Stipevic ilirët, jeta, kultura, fq46). Të njëjtën rrugë të luginës së Shkumbinit ndoqën dhe helenët gjatë kolonizimeve të tyre, ku pas Durrësit dhe Apolonisë, ata donin të vinin nën kontroll dhe këto rrugë në prapatokë, shek 6 pes. Pra rruga e Kandavisë është më e vjetër se Via Egnatia. Ndaj kjo rrugë ka luajtur rol në ndërtimin e bërthamave urbane apo kështjellave ku kalonte Rruga e Kandavisë. Kjo rrugë kalonte nga Durrësi pastaj në Ndroq, përgjatë Luginës së Erzenit në Dorëz, Petrelën, vargmalin e Krrabës e në vazhdim në Shkumbin deri në Maqedoni.

Edhe sot ekzistojnë prerje të Erzenit që formojnë këto rrugë:
Durrës- Lugina e Erzenit, Dorëz, Pezë e Vogël, Vrap, Peqin ku bashkohej me trasenë e Rugës së Kandavisë/ Via Egnatia
Durrës, Ndroq, Arbanë, Baldushk, Krrabë, pastaj dilte në Luginën e Shkumbinit ku lidhej me Via Egnatia për Maqedoni. Kjo shpjegon pse në gjithë këtë aks ndodhen kaq shumë kala e vendbanime antike. Sipas Kristo Frashërit, Historia e Tiranës, fq 19, fakt i ekzistencës së kësaj rruge janë zbulimet e mëdha në këtë aks, që tregojnë se kjo zonë nuk ka qenë e shkëputur nga kultura antike mesdhetare. Dy janë zbulimet më të mëdha: Figurina e Hermesit në një varr monumental në Bërzhitë, 5.5 cm e lartë, simbol i mbrojtjes së tregtisë dhe udhëtimeve si dhe një monedhë bronzi e Lidhjes Epirote shek III, p.es. Këtu Frashëri thotë se këto gjetje tregojnë që këtu kalonte një variant i Via Egnatnia e cila nisej nga Durrësi, kalonte në Korridorin e Ndroqit, më pas në Luginën e Erzenit, pranë Baldushkut dhe Qafës së Krrabës dhe dilte në Shkumbin ku lidhej me Via Egnatian e madhe. Dëshmia që rruga kalonte këtu vërtetohet nga figurina e Hermesit, pasi të ngjashme janë zbuluar përgjatë gjithë Via Egnatia.

Një tjetër gjetje në variantin dytësor të Via Egnatia është gjetur në zonën e Baldushkut, në jug të kryeqytetit. Banesa e fshatit Koçaj i takon shekullit të i të erës tonë. Këtu janë zbuluar dy bazamenete skulpturash antike, të cilat në ambient të tillë malor janë thjesht të jashtëzakonshme. Të dyja skulpturat unike kanë nga një bazament ku janë të skalitur kuaj dhe një djalosh që mban në duart frerët e tyre. Interesant është se dy skulpturat kanë patur dhe mbishkrim në dy gjuhë, latine dhe greke që u kushtohet dioskurëve (Kastorëve) dhe mendohet se janë të shkruar nga skllevër perandorakë.
Pra fakti që i njëjti mjeshtër shkruan në dy gjuhë dhe latinisht dhe greqisht tregon se dhe këtu këto gjuhë përdoreshin njësoj për qëllime kulturore. Historia këtu është e tillë, që skllevërit shtetërore liroheshin në Dyrrah dhe vinin në këto toka për të kaluar pjesën tjetër të jetës si bujq. Histori të tilla mund t’u tregohen turistëve që janë të interesuar dhe për gjetjet antike në këto territore që në fakt kanë qenë të shumta, si pllakë varri në Valias, Stelë varri në Kashar me mbishkrim në latinisht, Stelë varri në Paskuqan në latinisht gjithashtu, pllakë varri në fshatin Lalm, mbishkrim latinisht nga një skllave e liruar. Pllakë varri në fshatin Allgjatë, po në latinisht, epitaf i një skllave shek I erës tonë. Kjo e fundit e vdekur në moshë të re, kishte lënë porosi që guri i varrit të paguhet nga kursimet e saj. Shumica e këtyre stelave të varrit gjenden në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.

Ky artikull është pjesë e Tirana heritage Routes, një projekt nga DMO Albania, në kuadrin e programit Boost Balkans, zbatuar nga ALDA dhe financuar nga AFD France
Tags:
Other News to Read
Çfarë të bësh në Maj në Tiranë
Tirana është tashmë e mbushur me turistë. Pranvera është periudha më e mirë për të vizituar Tiranën
Bastar- fshati qe mori emrin e Mbretit
Dy përkrenare antike, njëra ilire dhe tjetra korintike janë gjetur në 1955, gjatë punimeve bujqësore ne fshatin Bastar,…
Ullinjtë antikë të Tiranës- mbi 3000 të vjetër
Tirana ka ullinjë më të vjetër në gjithë territorin e Shqipërisë dhe densidetin më të madh të ullinjve…
Mozaiku- thesari më i Vjetër i Tiranës — 2000 Vjet Histori
Mozaiku i Tiranës është një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, i cili besohet se ka…