Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë

Një nga muzeumet më të vecanta që duhet të vizitoni patjetër në Shqipëri, është Muzeu I SHkencave të Natyrës në Tiranë. Ky muze ka një pasuri të jashtëzakonshme të biodiversitetit të vendit tonë, ku janë ekspozuar rreth 3000 ekzemplarë, pra lloje unike dhe një fond shkencor kërkimor prej 100 000 specie të gjithë faunës shqiptare.

Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” (MSHN) është themeluar që në vitin 1948, si pjesë e ish Institutit të Shkencave. Me krijimin e Universitetit të Tiranës në vitin 1957, ky muze kaloi nën varësinë e Fakultetit të Shkencave Natyrore, si pjesë e Katedrës së Zoologjisë. Në vitin 2010, së bashku me Herbarin Kombëtar dhe Kopshtin Botanik, u bë pjesë e Qendrës Kërkimore të Florës dhe Faunës të Fakultetit të Shkencave Natyrore.

Pse është i rëndësishëm ky muze

Mesdheu është nga zonat më të pasura të faunës në botë, dhe Shqipëria ka qenë prej vitesh një oaz I specieve të rralla të cilat janë koleksionuar me shumë kujdes nga studiuesit shqiptarë vecanërisht ne periudhën komuniste. Aktualisht në Shqipëri gjendet 30% e faunës së gjithë Europës e megjithatë Shqipëria ka humbur më shumë se cdo vend tjetër në Europë faunën e tij, për shkak të ndryshimeve demografike, eorozionit, shpyllëzimeve, perdorimi I pakontrolluar I tokes, peshkimi gjuetia e paligjshme etj, E megjithate ne kete muze do te gjeni nje pasuri të jashtëzakonshme të specieve që kanë jetuar në tokën tonë ose janë gjetur në ujerat tona.

Llojet

Inventarizimi I faunës në muze përfshin: Entomofaunës (Insektet), Herpetofaunës (Amfibët dhe Reptilët), Ornitofaunës (Shpendët), Mammalofaunës (Gjitarët), Makrobentofaunës (Molusqe, Krustace)

Insektet, përfaqësojnë në ambientet e Muzeut, numrin më të madh të faunës së ekspozuar me 217 specie. Eksponantët përmbajnë lloje të Lepidopterëve, Odonatave, Hemipterëve, Coleopterëve, Neuropterëve, Orthopterëve, Hymenopterëve, etj. Eksponantët përfshijnë edhe një fond me flutura të mahnitëshme jo të vendit tonë, por të vendeve ekzotike, të cilat kanë qënë pjesë e ish-fondit të Kolegjit Jezuit të Shkodrës.

Peshqit në Muzeun e Shkencave të Natyrës përfaqësohen nga 156 lloje që u përkasin familjeve të ndryshme. Aty përfshihen lloje që kanë vlera faunistike por edhe lloje me vlera ekonomike. Mund të përmendim familjen Moronidae, përfaqësuesi më i rëndësishëm i së cilës levreku (Dicentrarchus labrax) është një ndër objektet kryesore të peshkimit dhe komponent i rëndësishëm i marikulturës. Po keshtu familja Sparidae (e kocës) që përfshin peshq detarë dhe familja Cyprinidae (e krapit) që përbëhet nga lloje të ujërave të ëmbla.

Amfibët dhe reptilët, në Muzeun e Shkencave të Natyrës përfaqësohen me rreth 63% të të gjithë amfibëve dhe reptilëve që takohen në vendin tonë. Gjatë vizitës suaj në mjediset e muzeut, në pavionin e amfibëve dhe reptilëve, ndër llojet që do të hasni janë: Salamandra salamandra (e bukura e dheut) dhe Ichthyosaura alpestris (tritonin e alpeve) nga grupi i amfibëve me bisht (Rendi Caudata.

Në muzeun do të gjeni të ekspozuar përfaqësues nga të gjitha grupet e reptilëve. Gjatë  vizitës suaj në pavionin e amfibëve dhe reptilëve, ajo që do t’ju tërheqë menjëherë vëmendjen është breshka lëkurore e detit (Dermochelis coriacea), e cila konsiderohet si breshka më e madhe në botë (me një gjatësi deri në 1.8 m dhe peshë rreth 700 kg). Kjo breshkë është shumë e rrallë për ujërat tona, sepse është një lloj oqeanik dhe deri më sot në vendin tonë janë kapur vetëm tre individë (një në vitin 1963 në Shëngjin, i ekspozuar në muzeun tonë dhe dy të tjerë në Gjirin e Drinit kapur përkatësisht njëri në Gusht 2016 dhe tjetri pas një viti në Gusht 2017). Të ekspozuara do të gjeni edhe dy llojet e tjera të breshkave të detit që takohen në ujërat tona: breshkën kokëmadhe (Caretta caretta), e cila konsiderohet si lloji më i zakonshëm për ujërat tona dhe breshkën e gjelbër (Chelonia mydas), e cila është shumë më e rrallë sesa e para. Të gjitha llojet e breshkave të detit kanë një interes të veçantë ruajtjeje, sepse ato konsiderohen si lloje globalisht te rrezikuara.

Shpendët gjenden të ekspozuar ekzemplarë nga 201 lloje (57 % e listës së plotë të shpendëve të Shqipërisë).  Kjo pasuri e çmuar është lënë trashëgim falë punës së madhe të studiuesve tanë të nderuar që kanë ndërtuar themelet e shkencës së ornitologjisë në Shqipëri si: Fotaq Lamani, Vasil Puzanov, Islam Zeko, etj.  Një numër prej 25 llojesh të shpendëve grabitqarë gjenden të ekspozuar, nga të cilët 18 lloje janë grabitqarë të ditës dhe 7 lloje grabitqarë të natës. Në sektorin e shpendëve grabitqarë gjenden ekzemplarë të shakabave, shqiponjave, hutave, skifterëve, gjeraqinave, sokolëve, bufave dhe kukuvajkave. Ndër këto lloje, keni mundësinë të shihni: Kalin e qyqes, një lloj i rrallë në nivel global i cili folezon ende në vendin tonë, ndonëse popullata e këtij lloji ka pësuar një rënie dramatike gjatë 25 viteve të fundit duke u redukturar në vetëm 10 çifte. Shkabën, lloj dikur folezues i zakonshëm në vend, që  tashmë është zhdukur si folezues dhe vetëm ndonjë individ endacak mund të haset shumë rrallë në vendin tonë. Shqiponjën e malit ose shqiponjën e flamurit, lloj për të cilin të dhënat e viteve të fundit tregojnë se popullata ka pësuar një rënie të jashtëzakonshme.

 

Nga 25 llojet, 23 prej tyre janë pjesë e listës së kuqe të faunës së Shqipërisë dhe mbrohen rreptësisht me ligj.   Shpendët e ujit, një larmi e madhe llojesh (84 lloje) të shpendëve të ujit janë të ekspozuara në këtë muze. Në sektorin e shpendëve të ujit, gjenden ekzemplarë të: pelikanëve, karabullakëve, mjelmave, lejlekëve, çafkave, patave, rosave, norëve, pulbardhave, dallëndysheve të detit, kojlikëve dhe baltakëve të shumëllojshëm. Ndër këto lloje, keni mundësinë të shihni:

Pelikani kaçurrel, shpendi më i madh në Shqipëri, me një gjatësi të hapjes së krahëve deri në 320 cm. Në Shqipëri folezon vetëm në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, në një koloni me 50 çifte. Popullata e këtij lloji në vendin tonë është e rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje, ndërsa në nivel global është afër kërcënimit.

Gjitarët përfaqësohen në muzeun tonë nga 44 lloje dhe 52 individë, nga të cilët tre  i përkasin rendit të Cetaceve (Gjitarë ujor): 1. Kashaloti (Physeter macrocephalus);  2. Delfini i zakonshëm turi-shkurtër (Delphinus delphis); 3. Foka e Mesdheut (Monachus monachus), e cila konsiderohet një lloj i rrezikuar në mënyrë kritike (CR) sipas IUCN.

Kashaloti- me e vecanta e Muzeut

Gjatë vizitës suaj në pavionin e gjitarëve në muze, ajo që do t’ju tërheq vëmendjen është patjetër skeleti i balenës ose kashalotit (Physeter macrocephalus), i cili ndodhet i ekspozuar në hyrje të muzeut, me një gjatësi prej 8 m.  Sipas të dhënave që disponojmë, kashaloti është kapur në vitin 1958 në bregdetin e Durrësit së bashku me 7 individë të tjerë , ku mendohet se kanë ngecur në cektinë. Mendohej të ketë qenë një familje me 8 anëtarë, të cilët janë vënë në ndjekje të presë ose të ndonjë anijeje peshkimi dhe më pas kjo i ka drejtuar në ujërat e cekta të Adriatikut, nga ku s’kanë mundur të kthehen dot më pas në ujërat e thellë oqeanik. Një arsye tjetër që mendohet, është që balenat edhe mund të kenë ngatërruar rrugën duke ndjekur drejtimin e rrymave dhe aksidentalisht janë futur nga Atlantiku nëpërmjet ngushticës së Gjibraltarit në detin Mesdhe dhe më pas në Adriatik.

Share this article

Other News to Read

Përjetoni eksperiencat më të bukura në tetor në Tiranë

Tetori është një muaj i jashtëzakonshëm për aktivitete në natyrë, shëtitje dhe koncerte në qiell të hapur. Është…

Përshtypja ime e parë për Tiranën

Unë jam Chiara Anzuino, një studente italiane që kam mundësinë të kaloj një muaj të tërë në Tiranë,…

Gjëra që mund të bësh në shtator 2024 në Tiranë

Gjëra që mund të bësh në shtator 2024 në Tiranë. Mirë se erdhe vjeshtë! Moti është akoma i…

Subscribe to our Newsletter!