Roli i drejtorit në krijimin e një klime pozitive dhe bashkëpunuese në shkollë

By Majlinda Koleta

Drejtori është forca lëvizese e gjithë institucionit arsimor që ai drejton. Një drejtor duhet të jetë menaxher i mirë por mbi të gjitha të jetë një njeri i drejtë, i balancuar, një dëgjues i mirë për të garantuar një mjedis të qetë, motivues, inkurajues me stafin që ai drejton dhe me nxënësit e shkollës.

Shpesh reputacioni i një shkollë varet nga drejtori i saj. Një shkollë ka sukses, ka nxënës të mirë, ka rregull e disiplinë nëse drejtuesi i saj arrin të menaxhojë shumë aspekte që kanë të bëjnë me funksionimin e shkollës, por mbi të gjitha në procesin e komunikimit të hapur dhe të respektueshëm si me mësuesit, nxënësit, prindërit, grupet e tjera të interesit etj.

Është ai që e mban të bashkuar stafin  e mësuesve, duke u mundësuar atyre lirshmërinë ku secili të thojë atë që mendon. Një drejtor nuk duhet kurrsesi të krijojë ndasi mes stafit, nuk duhet të lejojë që të krijohen grupe apo konflikte mes mësuesve. Sa më e madhe transparenca, dhe shtrimi i gjithë problematikave në mbledhje, në prani të gjithë stafit, aq më i lehtë menaxhimi dhe zgjidhja e çështjeve. Sigurisht këtu duhet të inkurajohet mendimi i çdo mësuesi, jo vetëm i një grupimi të caktuar në cdo mbledhje.

Drejtori duhet të jetë i balancuar dhe i paanshëm, dhe të vendosë drejtësi, në funksion të një klime te qetë në shkollë. Imagjinoni nëse drejtori mban anë, çfarë do ndodhte me stafin mësimor. Do krijoheshin pakënaqësi, do nxiteshin bisedat pas krahëve, dhe do hezitohej nga anëtarë të stafit që të shprehnin një problematikë ndaj atyre që drejtori mban anë, dhe nuk do besonin që drejtori do i jepte zgjidhje problemeve të tyre. Pas kësaj krijohet një problematikë zinxhir që prish tërësinë e atmosferës motivuese  të stafit për të punuar, nxit konflikte, dhe dëmton tërësisht punën edukuese me nxënësit.

Në rast se mësuesit janë të frustruar, pa i adresuar problemet e tyre, imagjinoni se si do jenë ata me nxënësit. Pra mund të ndodhë që gjithë frustrimin e tyre ta nxjerrin në klasë, duke ndikuar dhe në orën e mësimit dhe për rrjedhojë në atë që është misioni kyç i mësuesve, në edukimin e nxënësve.

Një drejtor i mirë duhet të vlerësojë dhe të promovojë stafin për punën e tyre të mirë, dhe të vendosë kështu standarde të larta që duhet të ndiqen nga të tjerët. Vetëm kështu mësuesit do jenë të motivuar për t’u zhvilluar, përmirësuar, dhe për të dhënë ide innovative në procesin mësimor. Por dhe këtu duhet të jetë i drejtë. Në rast se nis një proces vlerësimi dhe motivimi, këtë duhet ta bëjë dhe për mësues të tjerë që arrijnë ato standarde. Asnjë anëtar i stafit nuk duhet trajtuar me shpërfillje apo të mos vihet re përpjekja e tyre.

Gjithë çështja që shtrohet shpesh është: Çfarë lloj lidershipi i duhet një drejtuesi të mirë?  Autoritar, apo i butë? Urdhërues apo motivues? Hijerëndë apo komunikues? Në Shqipëri është preferuar shpesh roli i autoritarit, roli i një drejtuesi që duhet te jetë i fortë, të urdhërojë se përndryshe nuk e mban dot nën kontroll situatën. Por në një shkollë, drejtuesi nuk duhet te jetë autoritar me kolegët e tij. Kjo sepse shkollimi dhe niveli arsimor është gati i njëjtë, dhe pavarësisht se drejtuesi mund të ketë disa kualifikime më tepër. Ndaj është mirë që ata ta konsiderojnë njëri-tjetrin kolegë dhe të diskutojnë gjithçka në funksion të punës, pa treguar nota supremacie në këtë komunikim. Komunikimi duhet të bazohet në gjuhën e mirëkuptimit, dhe respektit reciprok e mbi të gjitha mbi besimin te njëri tjetri.

Ka raste kur mjaft drejtues sillen ashpër ose në rolin e atij që  thotë ‘atë e di unë’ duke dhënë shpesh edhe urdhëra të paarsyeshëm dhe pa i diskutuar ato me mesuesit. Ka dhe raste kur mësues të caktuar ndihen të persekutuar apo dhe të bulluar nga drejtuesi. Shumë marrëdhënie varen dhe nga karakteri i vetë mësuesve. Ka mësues të ndjeshëm që lëndohen lehtë dhe kur marrin një urdhër nga drejtuesi ose një vërejtje, por ka dhe mësues që mendojnë se dinë më shumë se drejtori profesionalisht dhe kështu konfliktohen. Ndoshta është detyra e drejtorit që të kuptojë dhe tipilogjinë dhe psikologjinë e stafit, karakteret e tyre, dhe të gjejë mënyrën për të komunikuar me të, vecanërisht kur do bëjë vërejtje apo do kërkojë performancë më të mirë.

Mënyra si drejtori duhet të bëjë vërejtjen një anëtari të stafit pedagogjik duhet të jetë me baza, me fakte, në bazë të rregullores, duke u fokusuar vetëm te cënimi që i është bërë punës, dhe në asnjë mënyrë të kalojë në personale. Këtë vijë të hollë, drejtori duhet ta mbajë shumë mirë parasysh, për të mos e kaluar cakun.

Drejtori që në fillim duhet të kujdeset që secili mësues të marrë ngarkesën mësimore të duhur sipas rregullave, t’u mundësojë me drejtësi orët sipas profilit të tyre ose profilit të afërt, në bazë të normës. Duke ndarë mirë përgjegjësitë që në fillim të detyrës së tij, ai tregon paanësinë, drejtësinë me stafin.  Dhe rregullat, oraret, kalendaret duhet të afishohen dhe të jenë transparente për të gjithë stafin.

Lidhur me shpërblimet, apo motivimet, apo dhe mundësitë për trajnim gjithashtu drejtori duhet të jetë shumë transparent dhe i drejtpërdrejtë. Të gjitha mundësitë të diskutohen në mbledhje stafi dhe shumë vendime mund të merren dhe me mirëkuptimin e gjithë stafit. Po kështu dhe për caktimin e përgjegjësive të reja, duhet të marrë mendimin e kolektivit, pra stafit mësimor për kandidaturat që ata mendojnë.

Drejtori mundëson zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit pedagogjik në funksion të përmirësimit të zbatimit të kurrikulës, të mësimdhënës dhe të të nxëntit të suksesshëm. Pra ai kujdeset që gjithë stafi të marrë trajnimin e nevojshëm, duke mundësuar zëvendësimin e orëve të tyre, alternimet e nevojshme. Vec kësaj ai duhet të kujdeset që gjithë trajnimet e marra, mësuesit të kenë mundësi ti vënë në zbatim dhe të kërkojë prej tyre rritje të cilësisë dhe performanës.

Ai duhet të jetë transparent dhe për fondet e shkollës, për projektet e shkollës dhe për cdo mundësi tjetër që shkolla ka në marrdhënie me të tretët. Duke qenë sa më i hapur dhe llogaridhënës, ai gjithashtu krijon besim të shtuar të stafi, që për rrjedhojë është gjithnjë e më i motivuar për të edukuar nxënësit. Duhet të krijojë dhe mundësinë e votimit për kandidaturat më të mira dhe më të votuara nga vetë kolegët.

Po kështu në lidhje me problematikat e nxënësve, drejtori ka përgjegjësinë që t’i zgjidhë ato drejt, duke krijuar dhe një raport shumë të mirë me komunitetin e prindërve. Edhe pse kjo është detyrë primare e mësuesve kujdestarë, drejtori duhet të adresojë situatat komplekse, të ftojë prindërit e nxënësve problematikë, të mundësojë ballafaqime, dhe të diskutojë problematika të shtuara të nxënësve në mbledhje me bordin e prindërve.

Drejtori gjithashtu duhet të kërkojë dhe ndihmën e inspektorit të policisë së zonës, në rast se ka probleme me nxënës të veçantë, dhe pasi të jene ezauruar ballafaqimet e prindërit apo më mësuesit në rast konflikti mësues- nxënës.

Asnjëherë drejtori nuk duhet të fyejë mësuesin në sy të nxënësve dhe as të ulë reputacionin e tij, edhe nëse mësuesi mund të jetë fajtor. Kjo sepse në rast se bie reputacioni i mësuesit në sy të nxënësve, ai mësues dhe ndoshta gjithë stafi do e ketë të vështirë të menaxhojë nxënësit e asaj shkolle në vazhdim. Çdo zgjidhje situate, apo problematike, bëhet në dialog fillimisht mes drejtuesit dhe mësuesit, dhe nëse është fajtor për t’i tërhequr atij vërejtjen dhe për gjetur mënyra se sit e tejkalohet situata sa më butë, pa ulur në asnjë çast reputacionin e stafit mësimor para nxënësve. Më tej mund ta trajtojë këtë çështje me prinderit, dhe në instanca të tjera, sipas rastit duke marrë dhe masat e nevojshme për të izoluar fenomenet negative të nxitura nga nxënës të caktuar në shkollë, por duke adresuar më vete dhe vërejtjen përkatëse ndaj mësuesit, (sipas rregullores) në rast se ka patur shkelje.

Drejtori nga ana tjetër duhet të dëgjojë dhe prindërit që vijnë të ankohen edhe për një fenomen të caktuar për të cilin as stafi pedagogjik nuk ka dijeni. Ka shumë ngjarje, mund të jenë raste bulizmi, apo raste të konsumimit të drogës, alkolit, abuzimeve seksuale për të cilat nxënësit rrefehen me prindërit e tyre. Këto raste duhet të adresohen në mënyrë prioritare nga drejtori, i cili duhet të vërë në lëvizje gjithë mekanizmat që ka në dispozicion, që nga psikologu, identifikimi i fajtorëve, marrja e masave të disiplinës e deri te puna për eliminimin apo frenimin e situatave të ngjashme në të ardhmen. Drejtori duhet të jetë shumë i kujdesshëm me ruajtjen e konfidencialitetit të këtyre rasteve, kur kërkohen nga prindërit, pasi mund të dëmtojnë përfundimisht të ardhmen e këtyre fëmijëve, në rast se emri i tyre përflitet në shkollë. Dhe të njëjtin qendrim tia kërkojë dhe stafit pedagogjik. Kështu fitojnë besimin e komunitetit të prindërve për të trajtuar dhe tema të tjera shqetësuese me shkollën. ..

Nga ana tjetër ai duhet të kërkojë nga mësuesit dhe informacione për nxënësit problematikë, për fëmijët e mënjanuar e të buluar, raste të ngacmimeve të dukshme të vajzave në shkollë etj. Mësuesit janë më në kontakt me nxënësit dhe pavarësisht se janë aty për të dhënë mësim, nuk duhet t’u shpëtojnë mjaft problematika që ndodhin, dhe që mund të minojnë tërësisht jo vetëm procesin mësimor por dhe të ardhmen e këtyre fëmijëve.

Drejtori gjithashtu duhet të ketë aftësi dhe psikologjike të kuptojë kur një anëtar stafi është i pamovituar, i heshtur, i shqetësuar. Ta ftojë të bisedojë, pasi mund të jenë rrethana familjare, për të cilat ndoshta anëtari i stafit kërkon mirëkuptim, ditë pushimi për t’i përballuar etj

Një problematikë që haset në raport me drejtorët, është presioni që ata bëjnë për të arritur një sërë objektivash. Pra drejtori për të realizuar objektivat apo përgjegjësitë që ka marrë përsipër kundrejt drejtuesve të tij, shton presionin ndaj stafit mësimor për të arritur në një kohë të shkurtër disa objektiva që janë të pamundura. Në këto raste ai duhet të komunikojë qartë, të kërkojë mirëkuptimin e mësuesve që ato objektiva duhen arritur, dhe të ndihmojë dhe vetë në arritjen e tyre nëse është e nevojshme. E nëse shumica e mësuesve mendojnë që afatet janë shumë të ngushta për ti realizuar, atëherë ai duhet të lëjë më tepër kohë në funksion të një pune cilësore dhe ta komunikojë këtë me eprorët etij. Pra stafi mësimor nuk duhet stresuar përtej ngarkesave që ata mund të mbajnë.

Drejtori duhet të mundohet që gjithë stafit mësimor të mos i mungojnë kushtet normale për të zhvilluar procesin mësimor. Fjala vjen kur klasat janë të ftohta, kur tualetet nuk janë në rregull, kur shkolla ska ujë, kur nuk ka mjete mesimore, kabinete etj, të gjitha këto çështje duhet të jenë të listuara, të adresuara në tryezën e drejtorit dhe ai gradualisht duhet të marrë masa në organizmat e tjerë, ose të bashkëpunojë me biznese, apo me projekte për të mundësuar që këto kushte të përmirësohen. Në kushte të tilla, të gjithë do ankohen, dhe kjo ndikon direkt në pakënaqësinë, në demotivimin e mësuesve dhe nxënësve për të zhvilluar një orë cilësore mësimi. Krijimi i kushteve optimale ka të bëjë me motivimin e mësuesve për t’u bërë më kreativë, në një mjedis shumë të mirë, dhe për të dhënë maksimumin e tyre. Dhe kjo është detyrë kryesisht e drejtuesit të shkollës.

Idetë e reja te ardhura nga stafi nuk duhen shpërfillur. Edhe nëse ka ndonjë ide që nuk është pjesë e objektivave të drejtuesit për atë vit mësimor, nëse është e mirë, duhet mirëpritur dhe duhet integruar, sigurisht duke pyetur dhe mësuesit e tjerë, për të trajtuar përfitimet e kësaj ideje. Çdo shkollë mund të jetë lirshmërisht më inovative, të ketë projekte të veçanta mësimore, kulturore që janë në të mirë të edukimit të nxënësve, dhe motivimit të mësuesve.

Drejtori sigurisht të gjitha nismat e reja, iniciativat duhet t’i komunikojë dhe me të tretët, së pari me institucionet arsimore eprore, por dhe me komunitetin e prindërve, apo dhe me senatin e nxënësve. Asnjë vendim nuk duhet te jetë arbitrar. Dhe gjithë vlerësimet që merr nga bisedat me këto komunite duhet t’i marrë parasysh dhe t’i përshtasë në vijimin e punës së tij. Gjithëpërfshirja, hedhja e cdo ideje apo vendimi në diskutim, marrja e mendimeve të nevojshme e bën procesin drejtues të shkollës, më të lehtë, me efikas dhe më të suksesshëm.

ps

Majlinda Koleta eshte mesuese e Fizikes ne shkollen Pjeter Budi ne Tirane, e cila ka perfunduar Shkollen e Drejtoreve ne 2020

Tags:

Share this article

Other News to Read

Çfarë të bëni në Janar në Tiranë

Gëzuar Vitin e Ri 2025, të gjithëve! Janari në Tiranë vjen si një përrallë e thurur bukur, ku…

Shkodra Elektronike shkon ne Eurovision

Shkodra Elektronike shkon ne Eurovision, pasi u shpall fituese e Fest63

ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare

ChocoAlb- çokollatat e para artizanale shqiptare vijnë për të gjithë ju, me shije unike shqiptare dhe formate dhuratë

Subscribe to our Newsletter!