Pse investimi në Zvërnec nuk pasuron shqiptarët!

Përkufizimi i turizmit të qëndrueshëm, për të cilin ka një dekadë që flet OKB dhe BE, mund të përmblidhet vetëm një fjali: Një turizëm që minimizon impaktin negativ në mjedis, dhe maksimizon përfitimet për komunitetin. Modeli i fundit i resortit turistik që na propozon kryeministri ynë në zonën e Nartës nuk plotëson asnjë nga këto kushte. Përkundrazi. Ky model dëmton mjedisin, pasi zona e rrethuar përfshin brenda dhe zonën e mbrojtur, të cilën në mënyrë tinzare parlamenti e lejoi për ndërtim (ligji 21/2024). Dhe nga ana tjetër nuk sjell asnjë përfitim konkret për banorët e zones, me të cilët as u bë ndonje seancë konsultimi pavarësisht se shumë prej tyre bredhin gjyqeve për këto toka të mbivendosura nga disa pronarë

Gjithsesi, referuar investimit privat sipas modelit që propozon kryeministri, ky model mashtrues ku popullit i hidhet vetëm shifra e investimit për konsum, është i përsëritur dhe i dështuar. Oferta që u bëhet shqiptarëve është poshtëruese: Edhe pse keni toka apo prona, edhe pse jeni në procese gjyqësore për shkak të fajit të gjithë qeverive të post-tranzicionit, ju nuk mund të jeni kurrë pronarë, por vetëm punëtorë. Pra një shtet në vend që t’i ndihmojë shtetasit e vet të zhvillojnë pronën, me incentiva, për t’i ndërtuar ato sipas një plani të caktuar arkitekturor, që të mos prishë ekosistemin, t’u mundësojë infrastrukturë, rrugët e duhura, tabelat, dhe gjithë facilitetet e duhura për t’i kthyer në destinacione turistike- merr një tjetër vendim arbitrar. U merr tokën me 100 marifete (mjaft të kujtojmë çfarë është bërë me kadastrën e Vlorës këto vitet e fundit dhe në gjithë vendin me mbivendosjen e pronarëve), ua jep të huajve që ta zhvillojnë me kompani kryesisht fantazmë, të regjistruara me pak fonde nëpër parajsat offshore- dhe pastaj qytetarëve u shet për zhvillim vetëm vende pune në letër.

Të gjithë jemi dëshmitarë që çështja e pronave në Shqipëri është kanceri i 30 viteve të fundit. Më të fortët, ata të veshur me pushtet, kanë korruptuar gjyqtarë, dhe kanë mbivendosur pronësinë duke rrëmbyer mjaft toka në bregdet dhe kthyer në resorte, ndërsa qytetarët vijnë vërdallë me letra në duar për të gjetur të drejtën nëpër gjyqe. Përfitues pronash janë dhe gjyqtarë e politikanë, bashkëfajtorë në këtë katrahurë. Situata u bë fare e qartë dhe nga takimet e fundit të kryeministrit me pronarët e tokave në Zvërnec. Një prej tyre i tha qartë kryeministrit se kam gjyqin nesër për pronën time atje. “Po sikur të fitoj çfarë do ndodhë, dhe mbi të gjitha kush m’i kompeson taksat e paguara deri më sot për atë tokë”? Cila ishte përgjigja e kryeministrit? Duke u hequr se nuk komenton vendimet e gjykatave, përgjigja e tij ishte: Investimi do vazhdojë, dhe ti do marrësh kompesimin për tokën nga ai tjetri që humb gjyqin. Po sikur kompesimi që fshatari kërkon të jetë kthimi i tokës mbrapsht, sikur ai të mos dojë asnjë pagesë përveç tokës së tij?

Palasa, fshati paralel që thau fshatin ekzistues

Ligji famëkeq i investimeve strategjike ka krijuar një shtresë pronarësh në bregdet që me taksat tona, u mundësohet rruga, tunelet, uji, rrjetet elektrike e madje piste helikopterash, aeroportet. Me lekët tona. Palasa është një shembull tipik i një betonizimi të një zone pa ujë, krijimi i një fshati paralel me fshatin ekzsistues. Qeveria i bëri rrugën, tunelin që është në hetim nga SPAK për aferë korruptive, ndërkohë që ujin ky fshat i ri, ua mori fshatrave ekzuistuese, duke lënë pa ujë, Palasën e vjetër, Dukatin etj. Një mik që banon në Palasën e vjetër, më kërkoi të shkruaja dy vite më parë për këtë çështje, ku situata në fshatin e tyre ishte shumë e vështirë për shkak të ujit që merrej nga resorti i ri. Pra pyetja është: çfarë fituan banorët lokalë nga investitori strategjik i Palasës? Nëse do quhej model i turizmit të qëndueshëm, ky resort duhej të integrohej me fshatin e vjetër, që turistët të përjetonin eksperenca autentike mes banorëve, ose minimalisht ky investitor duhet të detyrohej të zhvillonte fshatin ekzistues, të merrte gjithe produktet nga fshati ekzistues, perimet, të ndihmonte gratë e zonës të punësoheshin, duke qëndisur e qepur perdet, mbulesat e tavolinës për resortin, dhe kështu dhe fshati prapa lulëzonte bashkë me fshatin e ri që mbiu nga hiçi dhe thau e varfëroi fshatin e dikurshëm.

Rrethimi i plazheve

Mbi të gjitha si Palasa dhe shumë investime të tilla strategjike, jo vetëm që nuk integrojnë fshatrat ekzistues, por rrethojnë detin, plazhin, pa u lënë akses banorëve që dikur zbrisnin me vrap në det. Gjithë investitorët strategjikë rrethojnë rërën dhe plazhin si diçka që u takon dhe që është përmbledhur në deklaratën famëkeqe të ishministers Olta Xhacka, e cila tha: S’mund të vijë dikush nga maja e malit, dhe të vërë çadrën para një investimi të caktuar… E nga maja e malit ishin pikërisht banorët që janë rritur aty në breza me radhë. E megjithëse vetë ministrat e turizmit e kanë deklaruar vetë se rëra dhe plazhi janë e gjitha pronë publike, nga veriu e jug, njerëz të fortë të këtyre resorteve tashmë janë bërë pronarë të rërës dhe detit, që nga Kakomeja, Kep Merli e shumë investime të tjera bregdetare. Mbi të gjitha këto resorte janë vetëm për tre muaj të verës dhe pesha e tyre për turizmin gjithëvjetor është thuajse minimale. Shqipëria nëse pretendon turizëm gjithëvjetor, potencialin e saj e ka te turizmi i kulturës, sitet arkeologjike të cilat gjithashtu po u jepen fondacioneve te huaja në mënyrë krejt jo transparente. Por edhe tek natyra jonë e pasur. Të gjithë e dimë që turistët gjermanë e çekë e vizitonin pa pushim Thethin, edhe pa u bërë rruga. Pra turizëm gjithëvjetor nuk është turizmi i plazhit. Atëherë pse kryeministri na i shet investimet në bregdet si ato që do shpëtojnë ekonominë tonë?

Luga bosh- vendet e punës

Cila është oferta e kryeministrit atëherë? Vendet e punës? Pra shqiptarëve u bëhet vetëm një ofertë, të bëhen skllevër në tokën e tyre, dhe nëse investitorëve nuk u pëlqen puna e shqiptarëve, mund të zëvendësohen kollaj me punëtorë nga vende me krahë të lire pune, sic ka filluar tashmë. A është hera e parë që shfryhet një fluskë e tillë premtimesh? Jo. Aeroporti i Kukesit u premtua si zhvillim i paparë për zonën. Toka iu shpronësua banorëve për 140 lekë/m, pra 5 m katrorë janë shitur sa një paketë cigare, duke i gënjyer për fatin e madh që do u vinte nga investimi disa miliardë i aeroportit. Pasi i shpronësuan për një copë buke duke i premtuar shumë pasuri e vende pune e zhvillim, sot banorët kanë mbetur me gisht në gojë. Aeroporti është kthyer në një biznes privat për energjinë voltaike, a një zot e di se cfarë është. Pra i zhveshën qytetarët nga pronësia, dhe pastaj e gëzon dikush i afërt me qeverinë, dhe asgjë nuk mbeti per banorët. Qytetarët e kanë kuptuar, se shpronësimi nuk është më zhvillim, por skllavërim dhe emigrim. Të mos flasim për mungesën totale të transparencës dhe marrjen e vendimeve të kryeministrit jashtë institucioneve, në dreka e darka e jahte private.

Revolucioni Flamingo

Kështu që gjithë revolta ka kuptim, pasi shumica janë njerëz që e kanë provuar në kurriz, që premtimet me shifra përrallore, për projektet pa projekt, nuk sjellin asgjë të mirë për ta. Në një rast në zonën e Kukësit, një fshatar ankohej se pse shkon rruga në mal, ku ska asgjë për momentin, por po bëhet gati një investim strategjik i Paketës së Maleve, dhe nuk vjen rruga në fshatin tonë edhe pse e kërkojmë prej 20 vitesh duke votuar e shpresuar. Një qeveri që nuk mendon për shtetasit e vet për 30 vjet, pasi fshatrat aktualë sot janë në gjendje të mjeruar, pa ujë e drita dhe pa njerëz, – nuk mund të gënjejë më popullin se jeta e tyre do përmirësohet pas investitorit strategjik të resortit. Qeveria merr boll taksa për të rregulluar jetën e qytetarëve të vet dhe është fakt se jeta e fshatrave nuk është përmirësuar në këto 35 vjet. Shqipëria absolutisht ka nevojë për investime strategjike, që t’ua bëjnë qytetarëve jetën më të thjeshtë dhe më dinjitoze: janë rrjeti i rrugeve, hekurudhave, rrjeti infrastrukturor, ndoshta dhe teleferikë që lidhin malet me fushat, të gjitha mënyrat e tranportit, investim në shërbime, spitale, facilitete të tjera, investim në arsim cilësor, dhe fuqizim të banorëve, agroturizëm e bujtina, në mënyrë që të huajt të përjetojnë të gjithë atë që shqiptarët kanë të shenjtë, mikpritjen. Në këtë këndvështrim, modeli i resortit të propozuar nuk ka lidhje me turizmin, por është akt i pastër grabitje tokash. Aty ndërtohen vila, të cilat blihen dhe bëhen pronë e të pasurve, dhe krijohen miniqytete që nuk mund të shijohen nga qytetarë të Shqipërisë. Gënjeshtrat kanë një fund. Dhe ky është fundi.

 

Share this article

Other News to Read

Pse investimi në Zvërnec nuk pasuron shqiptarët!

Turizmi i qëndrueshëm minimizon impaktin negativ në mjedis, dhe maksimizon përfitimet për komunitetin. Modeli i fundit i resortit…

Çfarë të bësh në Tiranë në Qershor 2026

Çfarë të bësh në Tiranë në Qershor 2026

Historia e dashurisë së Turran dhe Laran (Tujan dhe Lana)

Tujan ose Turan ishte hyjnia e dashurisë dhe e pjellorisë

Çfarë të bësh në Maj në Tiranë

Tirana është tashmë e mbushur me turistë. Pranvera është periudha më e mirë për të vizituar Tiranën

Subscribe to our Newsletter!