Historia e Thesarit të Vrapit – një trashëgimi e hershme e Tiranës

Historia e Thesarit të Vrapit – Një Trashëgimi e Hershme e Tiranës

Fshati Vrap ndodhet në jug të Tiranës, në kodrat që ndajnë luginën e përroit të Zhullimës, zonën e Pezës dhe degët e lumit Erzen nga lugina e Shkumbinit. Në pamje të parë, është një vendbanim i qetë rural. Por në fillim të shekullit XX, ky fshat i vogël u bë i njohur në mbarë Europën për zbulimin e një thesari të jashtëzakonshëm, i konsideruar sot si thesari më i madh arkeologjik i Mesjetës së Hershme i gjetur në Europën Juglindore.

Ky zbulim e vendos territorin e sotëm të Tiranës në qendër të historisë së hershme bizantine të Ballkanit.

Historia e Zbulimit

Në vitin 1901, dy vëllezërit Murat dhe Ali Biceri, së bashku me Met dhe Mustafa Mema, zbuluan thesarin gjatë punimeve bujqësore në arën e Met Memës. I fshehur brenda një kazani bakri, thesari përmbante objekte ari dhe argjendi me vlera të jashtëzakonshme artistike dhe fetare. Natën e zbulimit, katër fshatarët nxorën dy enë floriri dhe shumë sende të tjera të çmuara.

Thesari u nda mes katër gjetësve. Njëri prej tyre shiti një kupë të artë tek një bakërpunues për 900 grosh. Çiraku i këtij mjeshtri, i cili nuk ishte bashkëpronar i dyqanit, e denoncoi ngjarjen pranë autoriteteve osmane në Elbasan. Kupa u konfiskua menjëherë dhe u dërgua në Kostandinopojë. Sipas dëshmive, në Vrap mbërritën nëpunës osmanë, të cilët kërkuan pa sukses për thesare të tjera.

Ndërkohë, pjesët e mbetura të thesarit u fshehën për disa vite tek miq dhe të afërm, deri sa u transportuan në Durrës dhe më pas jashtë vendit. Një enë ari thuhet se u shit në Itali për të financuar një ndërhyrje mjekësore, duke sjellë pasuri për familjen e shitësit.

Këto të dhëna përforcohen nga historiani vienez J. Strcisovski, i cili në vitin 1917 shkruante se, në pranverën e vitit 1902, një denoncim çoi autoritetet osmane të Tiranës në konfiskimin e një kupe të artë me zbukurime, e cila u dërgua në Kostandinopojë me urdhër të mytesarifit Mehmed Hysni Beu.

Thesari dhe Rruga e Tij në Europë

Thesari i Vrapit përbëhet nga 41 objekte, prej të cilave 39 u bënë pronë e J. Pierpont Morgan në vitet 1902–1907, përmes ndërmjetësimit diplomatik të konsullit austro-hungarez në Durrës. Që prej vitit 1917, këto objekte ruhen në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork. Dy objekte shumë të rëndësishme përfunduan veçmas, një në Kostandinopojë dhe një në Paris.

Vlera dhe Përmbajtja e Thesarit

Thesari përbëhet nga rreth 5.6 kg flori dhe afro 1.5 kg argjend. Objektet përfshijnë:

  • kupa dhe tasa ari,

  • enë liturgjike,

  • kapakë,

  • pafta brezi katërkëndore me grifon,

  • gjuhë dhe pajime brezash,

  • pjesë shandanësh.

Katër kupa ari janë përdorur për kungim, të zbukuruara me motive shpendësh, palmeta, perla dhe figura alegorike të qyteteve si Kostandinopoja, Roma, Aleksandria dhe Qiproja. Njëra prej kupave është prodhuar në Qipro, çka e vendos datimin e thesarit para pushtimeve arabe të ishullit (649–654), duke e lidhur atë me shek. VI–VII pas Krishtit.

Një enë argjendi për ujë të bekuar, e përdorur në kishat bizantine, është zbukuruar me kryqe, lule, shpendë dhe motive liturgjike. Një tjetër objekt mban një mbishkrim me formulë tipike të Antikitetit të Vonë:

“Zot, ndihmoje shërbëtorin tënd, Zenobius. Amen!”

Këto elemente tregojnë qartë se thesari ishte pjesë e jetës fetare të një komuniteti të krishterë të qëndrueshëm, jo e një grupi kalimtar.

Një Kulturë Vendase, Jo Nomade

Prania e disa elementeve zbukuruese të përbashkëta me zona të tjera të Ballkanit dhe Europës Qendrore nuk tregon përkatësi etnike, por qarkullim stilesh dhe simbolesh prestigji në mesin e elitave të kohës. Në Mesjetën e Hershme, stili nuk ishte identitet.

Ajo që përcakton përkatësinë e Thesarit të Vrapit është funksioni liturgjik, konteksti fetar dhe vendndodhja. Të gjitha këto tregojnë se thesari i përkiste elitave lokale të krishtera, pasardhës të popullsisë ilire të romanizuar, të integruar në strukturat administrative dhe fetare të Perandorisë Bizantine.

Nga kjo hapësirë ilire e Ballkanit Perëndimor dolën mbi 20 perandorë romakë dhe bizantinë, si dhe administratorë e ushtarakë të rangut të lartë. Thesari i Vrapit pasqyron pikërisht këtë realitet historik: një elitë vendase, e lidhur me perandorinë, por e rrënjosur fort në territorin e Tiranës së sotme.

Pse u Fsheh Thesari?

Shpjegimi më i besueshëm është fshehja emergjente gjatë një periudhe trazirash dhe pasigurie në Ballkanin e shek. VI–VII. Thesari nuk u rimor kurrë nga pronarët e tij, duke mbetur një dëshmi e heshtur e një momenti dramatik historik.

Një Kapitull i Harruar i Historisë së Tiranës

Thesari i Vrapit nuk është një episod periferik. Ai është një dëshmi qendrore e historisë së hershme të Tiranës, që tregon se ky territor ishte pjesë aktive e botës romake dhe bizantine, me komunitete të krishtera, elitë vendase dhe vazhdimësi kulturore që nga antikiteti.

Kjo është një histori e Tiranës — e hershme, e thellë dhe për një kohë të gjatë e harruar.

Bibliografia

  • J. Werner, New Aspects Related to the Avar Treasure of Vrap, Iliria, 1983, 1, pp. 181–201.

  • J. Werner, Der Schatzfund von Vrap in Albanien, Vienna, 1989.

  • Tirana Archaeology 100, N Ceka, S. Mucaj, L Perzhita

Share this article

Other News to Read

Historia e Thesarit të Vrapit – një trashëgimi e hershme e Tiranës

Historia e Thesarit të Vrapit – një trashëgimi e hershme e Tiranës. Thesari i Vrapit nuk është një…

Çfarë të bëni në Janar 2026 në Tiranë

Gëzuar Vitin e Ri 2026, të gjithëve! Janari në Tiranë vjen si një përrallë e thurur bukur, ku…

Dekori i Festave- Foto Galeri

Tirana është dekoruar për festat e Fundvitit. Shëtisni qytetin dhe shijoni pamjet e bukura të dekorit në Sheshin…

Historia e Ditës së Rinisë në Shqipëri

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe profesorësh nga Universitetet e Tiranës u bënë nismëtarët dhe protagonistët…

Subscribe to our Newsletter!