Lola- baleti që rikthehet pas 25 vitesh

Lola”- një balet për dashurinë, tradhtinë dhe hakmarrjen, rikthehet pas 25 vitesh në skenën e TKOBAP-së.
Në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez, shpaloset historia e Lolës, një vajzë e bukur, e fortë dhe e përfshirë në vorbullën e ndjenjave dhe sakrificës.
Në një fshat malor të Katalonjës, festa e përvitshme e korrjes ndërpritet nga hija e pushtimit. Dashuria mes Pablos dhe Lolës vihet në provë, ndërsa xhelozia, krenaria dhe lufta i ndajnë rrugët e tyre.
Konsuela bie në duart e francezëve, Minguelli lëkundet mes pasurisë dhe ndërgjegjes, ndërsa partizanët ngrihen në mal për liri.
Lola hyn në kampin francez me një mision të qartë, hakmarrjen. Me guxim dhe vendosmëri, ajo përmbush betimin e saj, duke e kthyer dhimbjen personale në një thirrje kolektive.
Me muzikë nga Sergei Vasilenko dhe një gjuhë koreografike të fuqishme, “Lola” vjen si një balet dramatik, ku pasioni i dashurisë përplaset me flakën e luftës dhe një grua bëhet figura qendrore e rezistencës.
Një histori që vjen në marsin e gruas, duke vendosur në qendër forcën, dinjitetin dhe sakrificën femërore.
Skanderbeg Square
06/03/2026 – 08/03/2026
19:00

