Historia e Familjes Toptani

Tirana ka qenë gjithmonë e lidhur me emrin e familjes së famshme Toptani, dikur pronari më i madh i tokës në atë që sot është qendra e kryeqytetit. Si u bë familja Toptani ‘pronare’ e Tiranës gjatë shekullit XVI?

Ekzistojnë dy versione për origjinën e emrit Toptani. Të dyja versionet i jep shkrimtari dhe diplomati francez Jules Alexandre Theodore Degrand, i cili ishte konsull në Shkodër më 1900. Versioni i parë flet për një histori e lidh mbiemrin Toptani me Principatën e Topiajve, familjen e burrit të Mamicës, motrës së Skënderbeut. Legjenda flet për një fëmijë të gjetur nga ushtarët turq që hynë në Krujë dhe plaçkitën shtëpinë e Mamicës, motrës së Skënderbeut, e martuar me Tanush Muzakë Topinë. Fëmija, thuhet në legjendë, bëhet më vonë themeluesi i fisit Toptani, anëtarët e të cilit ishin të gjithë luftëtarë të mëdhenj. Shtëpia e tyre ishte si një muze. Muret ishin zbukuruar me motive lulesh e pemësh rreth dritareve. Kishte objekte ari dhe argjendi në mure, shumica prej tyre armë me vlera historike. Kishte edhe kostume të bukura tradicionale, dhe disa trofe, të cilat ishin krenaria e shtëpisë. Toptanët ishin një familje shumë e madhe dhe e njohur gjerësisht, shprehej Degrand.

Versionin e dytë, Degrand e nis përshkrimin e tij për Tiranën që prej vitit 1600. Në atë kohë, një burrë me emrin Sulejman Bargjini kishte ndërtuar një xhami, një furrë dhe disa banjo, të gjitha në një tokë që më parë ishte një pyll me kasolle të vogla të varfra. Ky është vendi ku sot gjendet Tyrbja me tetë kolona, në afërsi me Kullën e Sahatit dhe Xhaminë Et’Hem Bej.

Megjithatë, Tirana është shumë më e vjetër, nëse i referohemi Marin Barletit, autorit të shekullit të 16-të të historisë së Skënderbeut. Barleti e quajti qytetin Tyrana, dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme për të hedhur poshtë pohimet se qyteti e kishte marrë këtë emër pas Teheranit, kryeqytetit të Iranit.

.

Sulejman Bargjini u vra në Bagdad. Ishte djali i tij Ahmeti, i cili përfundoi xhaminë dhe ndërtoi një çezme. Më vonë, nipi i Ahmetit ndërtoi shtëpinë e tij këtu. Ajo u quajt Kulla e Madhe dhe kishte mure të forta dhe një kullë të rrumbullakët. Kur vdiq Ahmet Pasha, ai la katër vajza në moshë të re. Të afërmit e tyre kërkuan mbrojtje nga një familje e fuqishme si ajo e Kapllan Pashës së Krujës. Ata i ofruan atyre që katër vajzat jetime të fisit Bargjini të lidhnin martesë me djemtë e tij. Kapllan Pasha, stërgjyshi i Esat Toptanit, pranoi ofertën, pasi vajzat e Bargjinit ishin të pasura dhe zotëronin toka rreth Tiranës. Djemtë e Kapllanit u zhvendosën në Tiranë dhe gjithë familja mori mbiemrin Toptani. Në turqisht ‘Toptan’ do të thotë ‘të gjithë bashkë ’. Legjenda thotë se kur familja u transferua në Tiranë, Kapllan Pasha tha: Tani ata janë të gjithë bashkë. Prandaj moren mbiemrin Toptan.

Esati i ri ishte një prej trashëgimtarëve të fisit. Kur ishte fëmijë ai qëndronte në majë të mureve të vjetra që rrethonin vilën dhe shihte përballë aty është sot Hotel Dajti, dhe shihte përtej hapësirën e pafundme të gjelbëruar. Pasi në atë kohë nuk kishtë shumë ndërtesa.

Esati shkoi në Stamboll në 1891 dhe u martua me një grua të bukur turke të quajtur Shadije Aziz. Esadi ishte atëherë 27 vjeç. Ai ishte divorcuar me gruan e tij të parë me të cilin kishte tre vajza: Nafije, Mahmude dhe Pertefen. Esati qëndroi vetëm 3 javë në Stamboll dhe u kthye në Tiranë për të menaxhuar pronat e tij bashkë me gruan e tij të re. Siç tregonte kunati i tij, Fikret Aziz, Esati ishte i pasur. Të ardhurat e tij vjetore nga tokat e tij arritën në 200 mijë franga, rreth 1 milion dollarë në ditët e sotme.

Pjesa më e gjallë e qytetit në atë kohë ishte pazari, të cilin e Esati e kishte restauruar me paratë e tij. Shumë mjeshtra dhe artizanë punonin atje gjatë ditës. Kur Esati vizitonte pazarin, njerëzit ndalonin punën e tyre dhe e përshendesnin.

Kur koha ishte e mirë, burrat dhe gratë e Toptanit dilnin për piknik poshtë kodrës së Shën Prokopit në periferi, ku shtronin qilima dhe jastëkë dhe uleshin për të ngrënë ushqim të gjithë bashkë. Njerëzit hidhnin valle dhe këndonin për orë të tëra.

Fuqia e klaneve si ajo e Toptanve matej me numrin i ushtarëve që ishin të gatshëm të rekrutoheshin në luftë. Toptanët ishin në gjendje për të ngritur një ushtri të vogël prej 500 vetësh dhe që e ndihmuan atë të bëhet më e pasur gjatë Perandorisë Osmane.

Sot, një numër ndërtesash e rrugësh në Tiranë mbajnë emrin Toptani: Qendra Tregtare Toptani, Pedonalja Toptani, Shtëpia Selim Pasha Toptani (1833-1840) dhe Kalaja Toptani, e cila u restaurua dhe u hap në vitin 2018.

Përshtatur nga libri i Ilir Ikonomit: “Esat pashë Toptani – Njeriu, Lufta, Pushteti” (Tiranë, 2016)

Share this article

Other News to Read

Alessandro: Eksperienca ime e paharrueshme ne Tirane

Për sa i përket qytetit të Tiranës, ai ishte vërtet mahnitës dhe i mbushur me surpriza. Isha veçanërisht…

Subscribe to our Newsletter!