Vija- vazhdimi i pikës ekspozitë

Vija, vazhdimi i pikës
Eshref Qahili
Vija –
vazhdimi i pikës;
krijimi i mendimit;
përjetimi i momentit;
formimi i spiritualitetit;
ngritja e balancit.
Vizatimet e Eshref Qahilit paraqesin vijën si fillim i krijimtarisë së tij artistike. Këto vizatime fillojnë si skica, të lindura nga momentet kur artisti është i humbur në mendime, i ndikuar nga përvojat dhe i përndjekur nga përjetimet e ndryshme kohore. Përmes këtyre vizatimeve krijohet një ndërlidhje në mes të rikrijimit dhe riformulimit të mendimeve dhe përvojave personale, duke interpretuar në mënyrë indirekte qasjet e sjelljeve kognitive. Gjatë shekullit të 16 vizatimi ishte përdorur si mjet për të kuptuar dhe komunikuar (Pyle, 2000). E në vizatimet e tij, Qahili e arrin këtë qasje, duke e përdorur vijën, për të studiuar figuracionin, objektin ose një fenomen. Për më tepër, hulumtohet reflektimi i sjelljeve që kanë dominuar në shoqëri, shpesh interpretuar dhe shprehur në mënyra të ndryshme dhe të prekshme për të shfaqur emocionet, stresin dhe shqetësimet e brengat e përditshmërisë.
Janë gjurmët. Individët. Janë shpirtërat e atyre që kanë kaluar nga një mendim në tjetrin për të thyer përsëritjet e vuajtjeve. Janë vallëzimet, momentet e qetësisë dhe të trazirave. Është një teatër me shikuesit e përditshëm. Në një çast të vetëm krijohet monotonia që ngjan në një breshër që është vështirë të kalohet, e në këtë rast të thyhet. Por, këtu shpesh e shohim se si Qahili e then atë duke luajtur me hapësirë, duke e mbushur me ngjyrë që të shtin të fluturosh nëpërmjet sipërfaqeve të mbushura. Por, në momentin që e kthen shikimin në vizatimet e cikleve të tjera, e sheh të kundërten, ku krijohen perceptime të reja të jetës në të gjitha format e saj. Këto vizatime krijojnë një jetë magjike, duke thyer përsëritjet; pasi shikuesi tani është mishëruar me jetën për të cilën është luftuar për të arritur. Qahili, sikur edhe artistët e tjerë trajton koncepte që janë mjaft ngushtë të lidhura me personalitetin e tij si artist, ku marrëdhënia midis konceptit dhe perceptimit është thelbësore për të qasur multidimensionalitetin e vizatimit si një kanon i gjuhëve vizuale (Rohr, 2012).
Si për Qahilin, gjithashtu edhe për hulumtuesit e fushave shoqërore, akademike e vizuale, vizatimi konsiderohet shtyllë themelore e arsimit dhe praktikës artistike, esenciale për zhvillimin e aftësive njohëse dhe vëzhguese. Vizatimi funksionon si një udhëtim në kohë që rizbulohet, një histori e harruar që rikthehet, një periudhë që dikur e kishim kaluar. Askush nuk i mban mend fytyrat, gjymtyrët apo mimikat, por ruajmë kujtimin e mënyrës se si kemi mësuar për atë kohë nga të tjerët dhe si jemi frymëzuar prej saj. Fakti që këto imazhe tani kanë marrë një jetë të re duket i paracaktuar dhe pothuajse magjik. Ato janë si kapsula kohe, të lëna për t’u rizbuluar një ditë. Askush nuk i pa vërtet atëherë; askush nuk i kuptoi për atë që ishin, sa të bukura dhe njerëzore, kur ishin gjallë. E pikërisht në këto vizatime i shohim njerëzit si hije, të mbuluar me ngjyrë por duke krijuar karaktere të fuqishme me anë të vijës së tërhequr në sipërfaqe, nëpërmes dinamikave të tjera të toneve të të zezës, apo edhe sipërfaqeve të ndryshme, bardhë e zezë. Mundësia që sot të mësojmë prej tyre, të meditojmë dhe të reflektojmë mbi këta njerëz dhe për atë se kush ishin, ndoshta ka qenë gjithmonë pjesë e spirales, pjesë e planit.
Andaj, përveç vijës, sipërfaqja e mbushur me ngjyrë luan një rol të rëndësishëm. Njollat e krijuara me ngjyrë të zezë dhe përsëritjet e tyre, duke e shmangur monotoninë, shpesh shërbejnë si pikënisje për trajtimin e ideve në dimensione të tjera. Këto punime thyejnë monotoninë e vizatimit klasik dhe sfidojnë mënyrat tradicionale të prezantimit, duke krijuar një qasje më të lirë dhe më ekspresive, një qasje që Petherbridge (2010) e vë në dukje për artistët bashkëkohorë, të cilët refuzojnë të përmbushin kërkesat për prodhim vizual të kuptueshëm universal, duke i atribuar këtë mosbesim qëndrimeve relativiste post-moderne dhe post-strukturaliste.
Ajo që e shton veçantinë e punimeve është që vizatimet e Qahilit reflektojnë dhe mund të thuhet që perceptohet ndikimi i daoizmit, që kombinon mendimin filozofik dhe praktikën spirituale. Por, ashtu si vetë Daoistët, vijën e Qahilit e shohim të tërhequr dhe në lëvizje mbi materiale të ndryshme, thëngjill, kimik, tush apo pastel, ndërsa ai përpiqet të kuptojë natyrën e realitetit dhe vendin ku jeton, duke zgjeruar përvojën e asaj kohe dhe praktikën e vetëdijes, si dhe ushtrimin e mendimit filozofik dhe spiritual. Në këto vizatime nuk vërehet përpjekje për të imponuar stil tek të tjerët; ato rrjedhin natyrshëm dhe reflektojnë tregimin historik të popullit të tij. Duke qenë mësues i periudhës që përshkruan, Qahili, me anë të vijës, tregon rrugën që është ndjekur, shpesh e pashpjegueshme dhe misterioze. Vizatimi i komploteve shërben si një ushtrim unik i vetë-pohimit dhe zbulimit, duke shprehur një ndjenjë të përbashkët të angazhimit politik dhe të rezistencës ndaj rendit të vendosur. Andaj edhe siç thotë Solso (1996) “Mendja dhe arti janë një. Kur krijojmë ose përjetojmë art, në një kuptim shumë real kemi pamjen më të qartë të mendjes. Ne nuk e ‘shohim’ artin, ne shohim mendjen.”
Vizatimi funksionon jo vetëm si një aftësi, por edhe si një mjet thelbësor për të menduar, komunikuar dhe për të kuptuar vizualisht në mediume të ndryshme të arteve pamore, historisë si dhe mënyrë të jetesës. Puna e tij shfaq një vazhdimësi dhe vizion, ku shprehjet fillojnë në vizatim dhe më pas përkthehen në mediume të tjera artistike. Vizatimi i Qahilit shërben për të sqaruar idetë duke i trajtuar në forma të ndryshme, duke qenë paraprijës i çdo pune tjetër kreative e artistike. Vizatimi i tij është një kollazh që jep jetë; ajo që nuk mund të shprehet me fjalë, shfaqet përmes vijës. Një pikënisje e ideve në letër, nga një pikë e vetme.
Dt. 8 janar, ora 18.00
Kohëzgjatja: 8 – 19 janar 2026
Kuruar nga Nita Qahili & Sadik Spahija
Galeria FAB,
Fakulteti i Arteve të Bukura
Universiteti i Arteve, Tiranë
University of Fine Arts, Tirana
08/01/2026 – 19/01/2026
18:00

