Mozaiku i Tiranës- aty ku nis vërtet historia e Tiranës
Thesari më i Vjetër i Tiranës — 2000 Vjet Histori nën këmbët tona
Mozaiku i Tiranës është një nga monumentet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, i cili besohet se ka qenë pjesë e një vile që daton nga shekulli I pas Krishtit. Ai përfaqëson vendbanimin më të vjetër të njohur brenda zonës urbane të Tiranës. Mozaiku u shpall monument kulture në 1973, dhe përmban modele të ndryshme gjeometrike, si dhe figura shpendësh, peshqish dhe pulash, duke ofruar një pasqyrë të jetës dhe traditave artistike të periudhës romake.
Zbulimi
Rrënojat u gjetën në 1972 gjatë punimeve për ndërtimin e banesave në lagjen “Partizani”, në një zonë historike të njohur si Kroi i Shengjinit. Punimet kishin dëmtuar pjesë të monumentit, prandaj një ekspeditë e përbashkët nga Instituti i Monumenteve dhe Instituti i Historisë, e udhëhequr nga S. Anamali dhe A. Meksi, filloi menjëherë punimet arkeologjike. Gjetjet e para përfshinin pjesë muresh, tulla dhe enë qeramike nga një vendbanim i thjeshtë rural, që daton nga shekulli I pas Krishtit.
Në shekullin III, vendbanimi u zhvillua në një kompleks më të madh me funksione bujqësore, ku përfshihej një sallë qendrore 15 x 8 m, e mbuluar me mozaik me motive gjeometrike dhe florale. U gjetën gjithashtu tulla të rrumbullakëta, që tregojnë për praninë e hipokausteve (sisteme të ngrohjes së lashtë).

Zhvillime të Mëvonshme
Studimet tregojnë se gjatë gjysmës së parë të shekullit IV, pjesë të ndërtesës mund të jenë përdorur për funksione kishtare. Naosi, apsidi dhe nartheksi përmbanin mozaikë me simbole të krishtera — kryqe, peshq dhe shpendë — ndërsa pjesë të tjera ruanin modele gjeometrike. U gjetën tulla me kryqe që datojnë nga periudha e Perandorit Konstandin (306–337 pas Krishtit), duke treguar për përhapjen e krishterimit në vendbanime të vogla romake.
Si perfundim, A. Meksi shprehet se kisha mund të datohet si e gjysmës së parë të shek. IV, kur ende nuk ishte formuar qartë tipologjia arkitekturale kishave kristiane dhe kur mjaft ndërtesa ekzistuese në qendra të vogla, ktheheshin në faltore.
Ne vitet 2003-2004 dhe 2008, gërmimet arkeologjike të kryera në këtë monument nën drejtimin e S. Muçaj, zbuluan edhe pjesë të tjera të kompleksit, si dhe tri stela varresh të periudhës romake, të cilat ishin gjetur dhe groposur gjatë ndërtimit të pallateve në vitet 70. Me te rëndësishmet janë dy vaskat e fermentimit te mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh, në dy pika të ndryshme, si dhe pitosa (dolia) për mbajtjen e verës. Materiali arkeologjik i zbuluar, kryesisht qeramikë, datohet nga shek. IIl deri ne fillim të shek, V m. Kr. Këto të fundit u gjetën ne një shtresë të djegur të depozituar në një nga vaskat, çka tregon se kompleksi është shkatërruar gjatë dyndjeve të gotëve (385-410)

Rishikimi i Funksionit
Ndërsa studimet e hershme sugjeronin një bazilikë paleo-kristiane, gërmimet e reja tregojnë se vendi ishte një vilë fermë, kryesisht e angazhuar në prodhimin e verës, dhe ndoshta edhe tretjen e ullinjve. Zgjerimi i gërmimeve në zonat e lira nga ndërtimet moderne pritet të japë të dhëna të mëtejshme mbi arkitekturën dhe karakterin e këtij kompleksi të jashtëzakonshëm. Pyetja që mund të ngrihet nga kushdo sot është. Një vilë e këtyre përmasave, një fermë kaq e pasur, pavarësisht se i vihet emri vilë romake për shkak të periudhave që tashmë njihen me këto emra, a mund të ishte e izoluar? A duhet të ketë nën këmbët tona në zonën e qendrës së Tiranës, të tjera thesare qe jane mbuluar tashme nga ndertesat e shumta.
Sot, vendi njihet gjerësisht si “Mozaiku i Tiranës”, një dëshmi e thellësisë historike dhe trashëgimisë romake të qytetit.
Bibliografi
- S. Anamali, Mozaiket e Shqipërisë, 1974
- Historia e Arkitekturës Shqiptare, Tiranë, 1979
- Neritan Ceka, Skender Muçaj, Luan Perzhita, Arkeologjia 100
Street: Sander Prosi










