Një ditë në Shpellën e Pëllumbasit, vendbanimin më të hershëm në Tiranë

Shpella e Pëllumbasit, ndodhet rreth 25 km larg Tiranës, në rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Ky thuhet se është një nga vendbabnimet më të hershme në rajonin e Tiranës, që i përkasin periudhës së paleolitit, rreth 30 000-50 000 vite më parë. Është zbuluar në 1995 kur studiuesit erdhën dhe panë nga afër gjendjen e shpellës, moshën e stalaktiteve dhe stalagmiteve dhe e vendosën këtë shpellë në hartën e Monumenteve natyrore të Shqipërisë. Por rëndësia e saj është edhe më e madhe, madje ndërkombëtare, kjo pasi konsiderohet një nga 6 shpellat e këtij lloji që ekzistojnë në Europë, edhe pse në përmasa disi më e vogël se të tjerat.  Por rëndësia qëndron pikërisht te mosha e vjetër e saj, dhe te natyrshmëria, pasi askush nuk ka mundur ta prishë e të ndërtojë diçka rreth saj.

Shpella e Pellumbasit Tirane

Si të shkosh

Udhëtoni nga Tirana drejt rrugës nacionale Tiranë- Elbasan. Kthehuni në të majtë aty ku tabela shkruan 'Teatri Kame' dhe Pëllumbas, para se të shkoni te tuneli.  Rruga për në Pëllumbas është e mirë deri në qendër të fshatit. Qendra është restauruar disi së fundi dhe është ngritur një qendër moderne informacioni turistik. Aty mund të gjeni hartat e nevojshme, të blini suvenire por edhe të merrni me qera një elektrik dore apo një kapele që do ju duhen për në brendësi të shpellës. Këpucet sportive, apo atletet janë të domosdoshme.

Shpella e Pellumbasit Tirane

Nisni udhëtimin nga fshati drejt një shtegu shumë të ngushtë malor. Mos u çudisni kur rrugës të ndesheni me dhitë, pasi shtegu është i tyre. Gjithsesi shtegu është i markuar dhe nuk ngatërroheni dhe po të jeni me guidë. Ka stola në vende të posaçme ku mund të pushoni pak. Rruga zgjat 40-60m minuta deri sa arrini te shpella. Por natyra është vërtet shpërblyese. Poshtë do shihni lumin Erzen që rrjedh në udhën e tij duke krijuar formacione të bukura rreth luginës mes maleve. Gjithçka e gjelbër dhe e mahnitshme. Rruga vende-vende është shumë e rrezikshme, ndaj kujdes ku vini këmbën. Janë vendosur disa shkallë e dërrasa në zonat ku ka rrëshkitje, por prapë duhet kujdes.

Shpella e Pellumbasit Tirane

Sapo arrini te shpella për një moment shtangeni nga madhësia e shkëmbit dhe nga hyrja gjigande e tij. Askush nuk i reziston dot një fotoje në hyrje. Më tej hyni brenda në terrenin e lagësht dhe në temperaturën e ftohtë frigoriferike të shpellës. Por mos mendoni se mund ta bëni vetë pa guidë. Guida jonë ishte 11-vjeçari Orgito, nga fshati Pëllumbas, i cili e njihte me pëllëmbë rrugën në errësirën e plotë të shpellës. Me një elektrik të madh dore ai na tregonte rrugën dhe na thoshte se ku të ecnim me kujdes. Lakuriqët e natës fluturonin gjithandej, ndërsa zhurma e ujit që pikonte nga tavani i shpellës prishin në mënyrë të frikshme qetësinë e saj. Por pjesa më e rrezikshme është balta poshtë. Mund të rrëshkisni nëse nuk e keni mendjen. Hapni sytë e ndaloni për të parë çfarë ju ofron shpella rreth e qark. Formacione të ndryshme stalaktitesh e stalagmitesh, ca si forma njeriu e ca si forma të ndryshme kafshësh të krijuara gjithandej në mure, dysheme e tavan. Në fund arrin të pjesa më e lartë dhe më e gjerë, gati në formën e një kupole, gati 45 m. Gjithe shpella ka një gjatësi 360 metra dhe gjerësi 10-15 m. Ju e përshkoni atë të gjithën për 15-30 minuta, varet nga sa gjatë kundroni formacionet brenda. Pas vizitës në shpellë merrni rrugën në kthim. 

Shpella e Pellumbasit Tirane

Një ushqim i mirë te Restorant Pashai

Pas këtij udhëtimi të lodhshëm, ia vlen një drekë e mirë te Restorant Pashai, më i vjetri në zonë me pronarë dy vëllezërit Duqi. Në fakt me këtë mbiemër në fshat janë gjithsej 60 familje. Bardhi Duqi një nga pronarët na afrohet për të na marrë porosinë. Ne i themi duam atë gjë që restoranti e ka specialitet të vetin. Ai na sugjeron byrekun ose lakrorin që e bëjnë me gjëra të ndryshme: spinaq, lakra të egra, hithra, oriz, gjizë etj. Specialitet gjithashtu është tava e dheut me gjize e vezë që ishte e mrekullueshme. Po kështu sallata dhe djathi taze janë pjesë e tryezës. Buka është e prodhuara nga vetë familja dhe serviret e ngrohtë. Çmimet janë shumë te lira, p.sh një byrek për 4 vetë kushton 500 lekë. Këtë drekë mund ta shoqërosh me verë, raki por ne preferuam me dhallin e freskët të fshatit.

Shpella e Pellumbasit Tirane

Bardhit thotë se më i preferuar është mëngjesi dhe gjithë menuja e tij që kushton 500-800 lekë për person por është shumë i pasur dhe i shëndetshëm. Mëngjesi përfshin: çaj mali, qumësht fshati, tavën me gjizë e vezë, byrek të ndryshëm, trahana me djathë, petulla me mjaltë. Bardhi thotë se shumë njerëz vijnë herët, preferojnë të hanë mëngjes, të marrin mirë energji dhe pastaj të ngjiten për te shpella. Ai thotë se gjithçka që do është që klienti të jetë i kënaqur dhe të kthehet sërish për të drekuar te restoranti i tij, dhe jo të vijnë vetëm për shpellën. Agroturizmi është biznesi ku është fokusuar gjithë familja e tij. Ai madje po ndihmon dhe banorët e fshatit duke u blerë produktet e freskëta të cilat i përdor në restorant. Ideja është që Pëllumbasi të dëgjohet dhe për kulinarinë dhe jo vetëm për shpellën prehistorike të tij. U larguam nga Pëllumbasi, të lodhur por të kënaqur, duke shpresuar të vijmë sërish ashtu siç thotë Bardhi, për të sjellë miq të restoranti i tij. Kështu ndihmojmë sadopak dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

Buy Tirana Album

Buy Tirana Album online, visit Tirana
Daytrips in Tirana

Cave of Pellumbas tour in Tirana
Communist Architecture tour in Tirana
Old Villas tour in Tirana
Tirana - Dajti Mountain Cable Car
Editor's choice

gif_img

Hotel Colosseo Tirana Albania

Dajti ekspres

Theranda Hotel

Tropikal Resort