Është kënaqësi kur takon njerëz që e adhurojnë aventurën në natyrë dhe sportet ekstreme. Një ndër to është edhe Ladi Sulo, një nga personazhet më të veçantë që kemi takuar dhe që preferojmë ta quajmë “Gjyshja që ngjit malet". Ajo është një gjyshe e re në moshë, por kjo nuk e ndalon të ngjitet në malet e Shqipërisë dhe të sfidojë madje dhe djemtë e rinj. Ajo nuk ngjitet vetëm. Së fundi me vete merr dhe nipin e saj 7 vjeçar të cilit i ka përcjellë të njëjtin pasion për të eksploruar majat më të larta të Shqipërisë.
Por si lindi dëshira për ngjitje në mal? Si vendosi të merrte dhe nipin në aventurat e saj në mal? Për ta pyetur më hollësisht për historinë e saj ne e ftuam zonjën heroike Ladi Sulo në zyrën e Visit Tirana për një bashkëbisedim.
Fillimisht e pyetëm kur ka qenë udhëtimi i parë në mal. “Udhëtimi i parë ka qenë për 100-vjetorin e Pavarësisë në Llogara në majën e Qorres”. Në fakt si herë e parë ishte e lodhshme, madje sfilitëse. Fillimisht ajo mendoi se nuk do ta provonte më këtë lloj sporti. Por shumë shpejt dëshira dhe pasioni e çuan drejt ngjitjeve të njëpasnjëshme në malet e Shqipërisë dhe në disa male në rajonin e Ballkanit me grupe të ndryshme. Pasioni për ngjitjen në mal ia ka transmetuar dhe nipit të saj Markosit 7 vjeçar, të cilin e ka marrë për herë të parë me veten në moshën 2 vjeç e gjysëm. Sigurisht ngjitja e parë ishte këtu afër, në malin e Dajtit. Që prej asaj dite Markosi vazhdon udhëtimet e aventurës me gjyshen e tij.
Ngjitja në mal është një aventurë dhe shpeshherë ka rreziqe qoftë të kushteve atmosferike por edhe nga kafshët e egra, dhe në eksperiencën e Ladit nuk kanë munguar të tilla rreziqe. Ajo na tregon se shpeshherë me grupin kanë bërë kamping dhe ditën tjetër kur janë zgjuar kanë parë gjurmët e ariut në borë pranë çadrës së tyre të kampingut. Por as kjo nuk i ka trembur për të vazhduar me eksperienca e tjera.
Vetëm ata që kanë ngjitur majat dhe kanë qenë vërtetë mbi re, e dinë se ajo ndjenjë nuk ka të paguar dhe kjo është ajo që i motivon për të vazhduar me aventurat e reja. Mali më madhështor sipas saj është Mali i Korabit, por ai që është më i bukur për tu ngjitur është Mali i Nemerçkës, mes Përmetit dhe Gjirokastrës, i cili është i dallgëzuar në majë dhe të ofron një pamje spektakolare. Po kështu e preferuar për të është dhe Gjallica, të cilin e quan Ballkoni i Alpeve.
Kur e pyetëm nëse ka patur një moment kur ka dashur të heq dorë, ajo na përgjigjet: “Nuk kam dashur asnjëherë të heq dorë, veçse jo në pak raste kam rrezikuar jetën. Në Dhjetor të 2017 ishte një moment në malin e Gjallicës që për shkak të ngrirjes në një pjesë unë me një pjesëtar të grupit kemi qenë në rrezik për rrëshkitje në greminë dhe vetëm ai ka qenë momenti që kam menduar se kaq e patëm”.
Teksa na rrëfente aventurat e saj, dallohej shpirti i saj luftarak dhe sypatrembur dhe dashuria për natyrën dhe malet. Fiziku i saj elegant dhe sportiv është për t’u admiruar ndoshta jo vetëm nga moshatarët e saj por dhe nga më të rinj se Ladi. Edhe pse tek-tuk pi cigaren, ajo thotë se gëzon shëndet të plotë, dhe e gjitha kjo falë ngjitjeve të përmuajshme në male. Ladi gjithë këto aventura i bën për pasion. Ajo ka një punë të rregullt në shtet, dhe përpos përditshmërisë dhe angazhimeve në familje, kohën për t’u ngjitur vazhdimisht nëpër malet e Shqipërisë e gjen gjithnjë. Këtë pasion po ia transmeton nipit të saj, i cili po bëhet po aq entuziast sa ajo. Me humor Ladi shprehet: edhe kur skam unë ndërmend të iki diku, është nipi që më kujton: kur do ikim të ngjisim një mal? Shumë frymëzuese krahasuar me pjesën më të madhe të brezave të rinj, të apasionuar pas telefonave apo pas lojërave kompjuterike. Historia e Ladit me nipin e saj, është kaq e rrallë dhe frymëzuese për gjithë shqiptarët. Ajo nuk harron të thotë se Shqipëria është e bekuar me bukuri natyrore të jashtëzakonshme.
Daytrips in Tirana |
---|
Cave of Pellumbas tour in Tirana |
Communist Architecture tour in Tirana |
Old Villas tour in Tirana |
Tirana - Dajti Mountain Cable Car |