Ky është nga kanionet më të bukura të zonës së Tiranës. Ka një gjatësi prej 1.08 km dhe shtrihet në grykën e Skoranës. Kanioni është i mbushur me vaska , katarakte, guva e ngushtica nga të gjitha format. Natyra ka krijuar në miliona vjet një pamje spektakolare. Për të arritur deri atje shkohet nga Tirana deri në fshatin Pellumbas me rrugë automobilistike dhe të mirë. Më pas procedohet në këmbë deri tek kanioni. Diku në mesin e tij janë tre burime që burojnë shumë pranë tij dhe një prej tyre në brendësi të shtratit. Dy prej burimeve kane ujë me mineral squfuri. Kjo bën që uji nga burimet e poshtë të ketë një ngjyrë të kaltër në blu, ndërsa mbi burime ai është me ngjyrë të gjelbër. Uji i kristaltë dhe thellësia e kanioneve krijojnë mundësinë për të notuar në të. Në anën e brendshme të një zgavrave, lumi është i thellë deri në 10 metra. Ka gropa në vendin ku derdhen ujëvarat, të cilat gjatë verës përdoren për të notuar dhe bërë plazh. Sot është një vend i frekuentuar shpesh nga dashamirësit e natyrës.