Tur shpirtëror, në gjurmët e Nënë Terezës

Tur shpirtëror, në gjurmët e Nënë Terezës

"Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës.  Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”. Këto fjalë të Shën Terezës janë një dëshmi dhe trashëgimi e madhe e saj. Askush nuk mund të vërë në dyshim origjinën e saj e cila është e shkruar në të bardhë në të gjitha librat dhe biografitë e saj. Ne si shqiptar jemi të nderuar dhe krenar që kemi të njëjtin gjak me Nënë Terezën, me murgeshën më të respektuar në botë. Tani, që prej 4 Shtatorit 2016 ajo u deklarua Shën Tereza nga Papa Franncesko gjatë një ceremonie në sheshin Shën Pjetër.

Ditë e shënuar për shqiptarët është Lumturimi i Nënë Terezës, në 19 Tetor (2003 ), e cila është një festë zyrtare në vend. Në këtë ditë të veçantë organizohen një sërë aktivitetesh për të përkujtuar vlerat që i ka dhënë njerëzimit.

Të gjithë e dinë historinë e Nënë Terezës, ose Gonxhe Bojaxhiut, e cila u lind në një familje shqiptare në Shkup, u largua nga shtëpia në moshën 18 vjeçare dhe jetoi dhe ndërroi jetë në Kalkut, Indi. Por, shumë pak e dinë se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të familjes së saj, të cilët jetuan dhe ndërruan jetë në Tiranë, Shqipëri.

Nëse jeni në Tiranë dhe doni të njihni një pjesë të jetës së saj bëni këtë pelegrinazh:

Pavjoni i Nënë Terezës në Muzeun Kombëtar

Pavjoni i Nënë Terezës në Muzeun Kombëtar i është dedikuar jetës dhe kontributit të Nënë Terezës nëpër botë. Në këtë muze do të gjeni foto të Nënë Terezës me personalitetet botërore. Gjithashtu ka objekte personale të saja, të cilat janë shumë interesante për vizitorët. Një ndër to është dhe një kostum tradicional i Nënë Terezës i ekspozuar së fundmi në vitin 2016. Vetë Nënë Tereza e vizitoi muzeun dy herë gjatë vizitave të saj në Shqiperi (1989 dhe 1991).

Shtëpia te Rruga e Kavajës

Shtëpia ku jetuan nëna e Shën Terezës (Drane) dhe motra e saj (Age) jetuan në fund të viteve ’30, në rrugën e Kavajës, pranë Kishës Katolike. Pronari i kësaj shtëpie ishte Avni Zajmi, me origjinë Kosovare. Ai strehoi dy gratë për më shumë se 17 vitesh. Kjo shtëpi është në të njëjtën gjendje siç ka qënë në vitet kur kanë jetuar Drane (nëna) dhe Age (motra). Nënë Tereza kishte dhe një vëlla, Lazer, i cilli shërbeu si officer për disa vite në Berat dhe më pas u zhvendos në Tiranë. Por, më pas ai emigroi për në Itali, ku krijoi dhe familjen e tij dhe nuk e takoi më kurrë nënën dhe motrën e tij në Tiranë. Kjo për shkak se pas vitit 1945 në Shqipëri u vendos regjimi i Enver Hoxhës, kufinjt u mbyllën për të gjithë dhe ishte shumë e vështirë që njerëzit të takonin të afërmit e tyre jashte Shqipërisë. Kjo shtëpi tregon një pjesë të historisë së familjes së Nënë Terezës. Ka mbetur ende disa objekte dhe foto të familjes së saj. Ishte shtëpia e parë që Nënë Tereza vizitoi kur erdhi herën e parë në Shqipëri, në vitin 1989.

“Streha” e fundit

Në vitin 1963 dy gratë e familjes Bojaxhiu u zhvendosën në një tjetër apartament pranë Fakultetit Juridik në Tiranë. Ato jetuan në katin e dytë për 10 vite derisa ndërruan jetë. Nëna e saj Drane (Roza) vdiq në 1972 dhe një vit më vonë pas një dëshpërimi dhe vetmie ndërron jetë dhe motra e Nënë Terezës, Age Bojaxhiu në moshën 70 vjeçare, në vitin 1973. Varret e tyre janë ende te Varrezat e Sharrës në Tiranë. Nëna dhe motra e “Shën Terezës” jetuan për 40 vite në Tiranë, në një varfëri dhe izolim total dhe pa asnjë ndihme nga shteti. Por, ato ishin shumë të dashura për komunitetin shqiptar dhe kishin shumë miq. Shtëpia e tyre ishte e hapur për të gjithë. Sot ka ende disa fqinjë dhe miq që dëshmojnë disa nga kujtimet dhe faktet për jetën e tyre në Tiranë.

Sheshi Nënë Tereza

Sheshi i dytë më i madh në Tiranë ka emrin e Nënë Terezës. Por edhe aeroporti ndërkombëtar mban emrin e saj, po ashtu dhe spitali universitar.

Nëse doni vërtetë të zbuloni këtë pjesë të historisë së familjes së Nënë Terezës, ne ju sugjerojmë të shkoni në këto vende.  

TAGS: Tur shpirtëror, në gjurmët e Nënë Terezës ne Tirane, Udhetime nje ditore ne Tirane, Udhetime nje ditore ne Tirane, Ture ne Tirane, Jashte Tiranes, udhetime Ditore ne Tirane, Eksploro Tiranen

Tour: Gjysëm Dite

Kontakt: contact@visit-tirana.com