Kjo është një nga ujëvarat më të veçanta të këtij përroi, por dhe më e veçanta në llojet e ujëvarave. Kjo për faktin se ajo rrjedh në brendësi të malit. Uji i përroit kalon me shtratin e tij brenda në thellësi të malit dhe krijon atje një ujëvarë me lartësi rreth 7-8 metra. Vendi ku bie është pothuaj në erresirë përveç pjesës nga futet lumi që lejon dritën të hyjë. Banorët e zonës e quajnë "Hurdha e Zezë" (Pellgu i Zi). Për të arritur deri atje shtegu është pak i vështirë dhe i rrëshqitshëm. Pamja e saj është mbresëlënëse dhe mistike. Nuk mungojnë edhe legjendat lokale për këtë vend. Për të arritur në këtë destinacion ndiqet rruga nga Tirana në fshatin Krrabë (në asfalt) dhe më pas procedohet në këmbë përmes shtigjeve, në drejtim të grykës së Murdharit. Vendodhja e saj bëhet e lehtë me anë të një guide vendase. Nuk ka shenja orientuese për të shkuar në këtë destinacion të aventurës.