Shpella e Mbytjes në Tiranë

A e dinit se Tirana ka shpella të tjera, përveç shpellës së Pëllumbasit? Njëra nga këto  është Shpella e Mbytjes.

Shpella e Mbytjes ndodhet pranë fshatit Krrabë të Tiranës. Rruga për në shpellë mund të bëhet me makinë, deri pranë një reparti ushtarak që ndodhet pranë saj. Nga kjo pikë deri tek shpella, është një shteg i cili mund të përshkohet për 15- 20 minuta. Një guidë vendase do ishte e nevojshme, sepse është shumë e vështirë të gjendet hyrja e saj, për shkak se është pak e fshehur nga shikimi dhe nuk ka shenja që markojnë shtegun për momentin.

Shpella ka nje thellësi rreth 160 metra dhe lartësi që shkon në vende të caktuara deri në 15 metra. E veçanta e saj është, se ajo ka një diversitet stalaktitesh dhe stalakmitesh që ndryshojnë si nga forma dhe nga ngjyra (e bardhë kristali dhe të kuqe e kafe të miksuara në një tabllo mahnitëse). Hyrja e saj është shumë e vogël, sepse është zenë nga gurët që kanë rënë nga mali( ndoshta kjo është arsyeja e emrit të saj), por brenda, menjëherë pas hyrjes del lartësia reale e shpellës. Ne fund të saj ajo përfundon me një kupolë të lartë nga e cila varen dhjetëra lloje stalaktitesh të cilët i japin asaj pamjen e një tempulli. Deri me sot ajo ka qenë shumë pak e vizituar nga dashamirësit e natyrës dhe shumë pak njerëz kanë arritur të futen brenda. Një prej tyre është dhe fotografi Albert Cmeta, i cili ka realizuar disa foto fantastike të shpellës, të cilat i ka publikuar në albumin “Tirana Through Lens”.

 

Për të rezervuar turin, na shkruani në:

contact@visit-tirana.com

 Tel: +355 (0) 4 580 0419