Bunkart 2 është muzeu më i fundit dhe më i ri i hapur në Tiranë më 17 Nëntor 2016, në kuadrin e Ditës Kombëtare të Çlirimit të Tiranës. Ky bunker top sekret tashmë është një muze në qendër të Tiranës, prapa Ministrisë së Rendit Publik. Një numër shumë i lartë turistësh kanë vizituar muzeun që nga hapja e tij. Ai tregon për erën komuniste dhe për persekutimin e kundërshtarëve të regjimit.
Bunkeri prej 1000 metra katrorë, me mure të larta e të trasha deri në 2.4 metra, u ndërtua në 1981 deri 1986 me qëllim për të strehuar elitën policore dhe stafin e Ministrisë së Brendshme në rast të ndonjë sulmi bërthamor. Muzeu shfaq fotografi dhe pajisje apo objekte që tregojnë krimet e persekutimit komunist të 100 000 shqiptarëve deri në 1991.
Ky vend ka qënë ish vendstrehim për qeverinë shqiptare dhe u zbulua vetëm tre vite më parë. Bunkart 1 dhe Bunkart 2, janë pjesë e qindra bunkerëve të ndërtuar në vend si fortifikime të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, për shkak të frikës së tij për një pushtim imagjinar nga shtetet imperialiste si SHBA dhe social imperialiste si Bashkimi Sovjetik. Në atë kohë ishin gjithsej 700 000 bunkerë por qeveria thoshte se janë ndërtuar gjithsej 175,000.