Nga: Jeton Neziraj; Regjia: Blerta Neziraj
Aktorë: Arben Bajraktaraj, Adrian Morina, Ejla Bavčić, Anja Drljević, Verona Koxha, Klaus Martini
Për shfaqjen:
Përmes prizmit të laureatit kontravers të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke, një ansambël pan-evropian navigojnë nëpër baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër.
The Handke Project është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e srbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjvee në kohën e nacizmit!
Artistë nga Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Italia, Maqedonia e Veriut, Franca, Mali i Zi e Gjermania diskutojnë e trajtojnë ‘marrëzitë e Peter-it’, nën dritë edhe të luftës në Ukrainë e në një kohë kur shumë institucione kulturore në Evropë po u kërkojnë artistëve nga Rusia, që publikisht t’i shprehin qëndrimet e tyre ndaj luftës në Ukrainë. Një vijë e kuqe është duke u vënë ndaj krejt atyre artistëve rusë që në një mënyrë apo tjetër janë përkrahës të Putinit dhe të luftës.
Ndërkohë, Handke dhe handkistët evropianë vazhdojnë të kalërojnë të lirë, edhe përmbi 8 mij varret e të vrarëve në Srebrenicë. Prandaj, siç e ka thënë bukur Eric Gordy: Handke është kitsch! Por edhe Nobeli për të është kitsch. E edhe mbështetësit e Handkes janë kitsch. E kitsch është edhe hipokrizia evropiane.
16 prill ora 20:00
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”