Perino & Vele - Western Promises është ekspozita e parë personale e dyshes së famshme të skulptorëve italianë Emiliano Perino (lindur në New York, 1973) dhe Luca Vele (lindur në Rotondi, 1975), e cila hapet të enjten 19 shtator, në orën 19.00 në COD - Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, në katin e parë të Kryeministrisë. Ekspozita, e cila përfshin një përzgjedhje të disa prej veprave më domethënëse të dyshes, kurohet nga Gaetano Centrone dhe Genti Gjikola.
Si dy artistë origjinalë të interpretimit të bashkëkohores, Perino & Vele e kanë imponuar veten që nga fillimi i karrierës së tyre (nga fundi i viteve 1990-të), me stilin e tyre unik dhe të mirëpërcaktuar, si dhe me gjuhën shprehëse artistike që merr shumë si nga skena urbane e epokës sonë ashtu dhe nga tradita e madhe kulturore italiane dhe mesdhetare. Një nga tiparet më karateristike të punës së tyre buron nga një hetim intensiv i vetive individuale të materialeve të ‘rëndomta’, popullore, zakonisht artizanale - siç është në këtë rast papiermasheja – të cilat më pas dekontekstualizohen dhe ripropozohen si objekte arti që përshkruajnë jo vetëm forma dhe objekte të estetikës të zakonshme, por gjithashtu paraqiten edhe si relike të brishtësisë njerzore dhe debulesave sociale.
Ekspozita do të jetë e hapur në COD nga 19 shtatori deri më 31 tetor 2019, bazuar në orarin zyrtar të COD-it.
E hënë-e premte: 09:30 AM -2 PM/ 5:30 PM- 8:30 PM;
E shtunë: 5:30 PM- 8:30 PM;
Hyrja falas!