Premiera e fëmijëve “Tullumbaci i kuq” çel sezonin e ri artistik në Teatrin Metropol. E shkruar nga Barry Kornhauser, vepra vjen në skenë nga data 25 janar për spektatorin e vogël. Kjo shfaqje teatrale e cila flet për një burrë dhe një tullumbace të kuqe vjen në skenë jo nëpërmjet fjalës por nëpërmjet pantomimës, gjatë së cilës përcjell një sërë emocionesh te publiku. Personazhi i vetëm njerëzor në këtë shfaqje është Plaku, i cili nuk flet më, pasi nuk ka me kë të flas. Ngjarja zhvillohet në apartamentin minimalist dhe dëshpërues të Plakut në Paris. Ai mund të mos ketë harruar si të flasë, por ka harruar si të luajë. Jeta e tij është e qetë dhe e trishtë dhe ai e ka pranuar këtë mënyrë jetese. Trishtimi në hapat e tij të rëndë janë në kontrast të plotë me karakterin e tullumbaces, e cila është energjike, plot gjallëri, e shkujdesur dhe mjaft lozonjare. Të gjitha këto mjaftojnë për ta thyer ngurtësinë e Plakut. Kjo shfaqje flet për rizbulimin e ndjesisë së lojës dhe gëzimit. Autor: Barry Kornhauser Regjia: Roerd Toçe Interpreton: Erdet Miraka
'Tullumbaci i Kuq" do të shfaqet në skenën e Teatrit Metropol çdo të shtunë dhe të dielë nga data 25 janar ne teatrin Metropolitan, ora 11:00.