Maratona e Tiranës 2018 vjen këtë vit me edicionin e saj të 3-të dhe me siguri tashmë mund ta cilësojmë atë si eventin më të madh sportiv në qytet. Këtë e tregon edhe pjesëmarrja e më shumë se 2500 vrapuesve nga 40 vende të ndryshme të botës. Shtimi i numrit të pjesëmarrësve ndër vite është një tregues i mire, se kjo garë është bërë e dashur për qytetarët e Tiranës dhe më gjërë. Edicioni i 3-të i këtij aktiviteti i cili tashmë po kthehet në traditë organizohet me aprovimin e dy itinerarëve të rinj nga Federata Botërore e Atletikës duke i dhënë seriozitetin e një aktiviteti ndërkombëtar dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Atletikës .
Gara do të mbahet me datë 7 tetor dhe do të ketë 3 kategori; Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe “We too” kjo një kategori që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Nuk do të mungojë as gara Fun Run e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 6 tetor 2018 me të rinjtë e Shkollave te Mesme të Tiranës. Me projektin “Fun Run” përpiqemi të edukojmë brezat përmes sportit, për të qenë të vendosur dhe me vetëbesim, në rrugën e tyre për të arritur qëllimet e tyre, gjithashtu kjo të jetë një mënyrë e mirë për t’i nxitur të angazhohen me sport dhe të fillojnë të përgatiten për të konkuruar pas disa vitesh në Maratonën e Tiranës.
Intineraret e rinj të çertifikuar nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës – IAAF, do të përshkruajnë pikat më atraktive të qytetit duke e kthyer këtë garë jo vetëm në sfidë por edhe në argëtim. Përveç se një ngjarje sportive për garuesit, do të mund të konsiderohet edhe një ditë festive për qytetin, në të cilin do të organizohen shumë aktivitete artisitiko-kulturore në kuadër të këtij eventi.
Çmimet për fituesit do të jenë të shumta, duke e kthyer garën në një sfidë!