MetroFest, është një festival i ri, që organizohet për herë të dytë në Teatrin e Metropolit, në sezonin e vjeshtës 2018, me temë: Drama Shqipe. Festivali do të përfshijë shfaqje të vëna në skenë, shfaqje të reja nga arkivi i dramës shqipe që nuk janë vënë asnjëherë në skenë dhe lexime veprash e diskutime, të cilat do të ndahen sipas ditëve në tema të përbashkëta si Komedia; Drama historike dhe Drama dhe Diktatura. Ky Festival është menduar të nxisë punën e re dhe kërkimin artistik të fuqive krijuese që duan të mbështesin gjallimin e veprave shqiptare dhe takimin e tyre me publikun e gjerë në një frymëmarrje të përbashkët. Teatri i Metropolit vazhdon të mbështesë objektivin: më shumë qasje në kulturë nga më shumë njerëz, nga të gjithë qytetarët, edhe ata që janë të përjashtuar ose ndihen të përjashtuar nga arsyet e aftësisë financiare, prejardhjes sociale ose prejardhjes kulturore. Veprat që do të vihen në skenë janë:‘Kryet e Hudhrës’ nga Krist Berisha, ‘Rrajët lëvizin’ nga Ernest Koliqi, ‘E mbesa e krahinarit’ nga Kristo Floqi ,‘Makaronat e shejtanit’ nga Lazër Lumezi ,‘Prangat’ nga Halil Laze.