Këtë të shtunë me datë 8 Prill 2017, nga ora 18:00 deri në orën 21:00, në Pazarin e Ri të Tiranës do të organizohet festa “Drita në Pazar”. Në vazhdën e promovimit të jetës artistike dhe kulturore të kryeqytetit dhe fill pas inagurimit të restaurimit nga Bashkia e Tiranës, ambjentet e pazarit historik të qytetit do të shndërrohen për një ditë në skena të artit dhe kulturës, të hapura për të gjithë. Fëmijë e të rritur janë të ftuar që të zbaviten nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme të organizuara nën tingujt e larmishëm të muzikantëve të të gjithë rrymave. Koncerte, teatër, pikturë dhe poezi; shfaqje të improvizuara mjeshtërisht nga komedianë, kërcimtarë dhe akrobatë të talentuar, të cilët do të rikrijojnë atmosferen magjike të festave popullore të sheshit. Gjithkush do të mund të vizitojë stendat e shumëllojshme artizanale për të shijuar krijimtarinë artistike dhe gjithashtu të marrë pjesë në aktivitete re-kreative si pikturim, vizatim me graffiti, vallëzim me kërcimtarë të zhanreve të ndryshëm ose të sprovojë veten në hapësirën që do t’iu ofrohet edhe të rinjve të apasionuar pas skateboard-ing ose biçikletave sportive. Programi i këtij aktiviteti përfshin mbi 50 artistë të cilët do të performojnë për kënaqësinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Data: 8 Prill 2017
Ora: 18:00-21:00
Vendi: Pazari i Ri, Sheshi Avni Rustemi